“`html
VIDEO-FOTO/ Nis fluturimi pranë Hënës, NASA publikon fotot e sjella nga ekuipazhi i Artemis II
Ekuipazhi i misionit Artemis II ka ndarë fotografi të Hënës të bëra nga bordi i anijes kozmike. NASA bën me dije se fotografia kryesore tregon një pjesë të anës së largët të Hënës.
Ana e afërt, hemisfera që shohim nga Toka, është e dukshme në anën e djathtë të fotografisë dhe është e identifikueshme nga njollat e errëta që mbulojnë sipërfaqen e saj. Këto njolla, sipas NASA-s, janë rrjedha të lashta të lavës nga një periudhë e hershme në historinë e Hënës, kur ajo ishte vullkanikisht aktive.
Krateri i madh në perëndim të rrjedhave të lavës është pellgu Orientale, një strukturë gati 600 milje e gjerë që shtrihet midis anëve të afërta dhe të largëta të Hënës. NASA sqaron se gjysma e majtë e Orientale nuk është e dukshme nga Toka, por në këtë imazh ofrohet një pamje e plotë e kraterit. Gjithçka në të majtë të kraterit përfaqëson anën tjetër, hemisferën që nuk e shohim nga Toka.
Krahasuar me misionet e mëparshme Apollo, ekuipazhi i Artemis ka në dispozicion një gamë të larmishme kamerash dixhitale:
- Janë sjellë tre kamera Nikon: dy D5, ku njërës i është bashkangjitur një lente me gjerësi 14-24 mm për të kapur të gjithë Hënën, ndërsa tjetra ka një lente me zmadhim 80-400 mm, e aftë të dallojë detajet më të imta.
- Një kamerë Z9 me një lente 35 mm është përdorur për të realizuar imazhe të ngjashme me atë që mund të shohë syri i njeriut.
- Janë vendosur kamera GoPro në panelet diellore jashtë anijes kozmike.
- Çdo anëtar i ekuipazhit ka një iPhone për të dokumentuar misionin nga brenda.
Gjatë fluturimit, dritat e kapsulës do të zbehen për të mundësuar marrjen e fotografive sa më cilësore. Megjithatë, edhe këto kamera moderne do të përballen me sfida në arritjen e cilësisë së kamerave 70 mm Hasselblad të përdorura nga astronautët e Apollos. Një avantazh i rëndësishëm i teknologjisë moderne është mundësia e ruajtjes së mijëra fotove në një kartë memorieje të vogël, në krahasim me nevojën për mbajtjen e disa rrotullave filmi për kamerat e vjetra.
Specialistja e misionit, Christina Koch, ka deklaruar se ata mund të shohin si Hënën ashtu edhe Tokën nga raketa. “Toka është shumë më e vogël se Hëna në pamjen tonë,” tha Koch, duke shtuar se ata po vëzhgojnë të dyja.
“`
