Hën. Gus 20th, 2018

Artizanati shqiptar, punësim në industrinë e turizmit.

Artizanati, prodhimet e kulinarisë dhe prodhimet e traditës, janë mundësi e gjerë e punësimit dhe rritjes të të ardhurave brenda industrisë së turizmit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, vunë theksin tek këto mundësi, për t’u shfrytëzuar në rritje të mirëqënies dhe ekonomisë në zonat me tradita dhe prodhime tipike vendase.

Në panarin e Artizanatit, të zhvilluar në shëtitoren e re të Velipojës, në kuadër të organizimit të festave lokale të kësaj vere, dy ministrat vizituan stendat e paraqitjes dhe tregtimit të produkteve të zoës. Punimet me motive popullore, verërat më të njohura të zonës, gatimet dhe produktet bio u shijuan nga mijëra pushues vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur këtë verë Velipojën si destinacionin e tyre.

Ministri Klosi apeloi të gjithë përpunuesit e produkteve shqiptare, të shfrytëzojnë lehtësirat fiskale të ligjit të zejtarisë dhe atij për agroturizmin, për të rritur ekonominë e tyre familjare.

“Zona e Velipojës, zona e Shëngjinit, gjithë zona në të cilën ne po zhvillojmë këto aktivitete ka shumë për të promovuar, nuk ka vetëm turizmin e detit dhe të rërës, por ka disa pika të cilat në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare afrohen si agroturizëm dhe sot këtu janë afruar disa nga këta prodhues. Shikoj me kënaqësi që për turistët e huaj kjo është një surprizë dhe mendoj që do të vazhdojmë me këto aktivitete gjatë gjithë zonës turistike të Shkodrës, duke vazhduar me Festën e Krapit në Shirokë e më pastaj për të shkuar në Panairin e Kulinarisë që do të zhvillohet në shëtitoren e qytetit të Shkodrës”- tha ministri Klosi.

Ministri i Turizmit siguroi se festat lokale dhe aktivitetet të tilla do të vijojnë deri në fund të sezonit turistik në mbarë vendin me qëllim promovimin e agroturizmit dhe të traditës.

Ministri Bushati vlerësoi organizimin për herë të parë të këtij panairi duke u shprehur se është detyra e të gjithë aktorëve që ta shndërrojnë këtë aktivitet në një traditë për të promovuar zonën dhe vlerat e saj. Ministri Bushati falenderoi turistët e shumtë që zgjodhën Velipojën këtë verë, duke vënë theksin në mënyrë të veçantë tek vëllezërit nga Kosova.

“Është detyra jonë për ta kthyer këtë në një traditë të madhe dhe është detyra jonë për ta pozicionuar Velipojën por edhe pjesën rreth e përqark, grykëderdhjen e Bunës, pjesën e Shëngjinit dhe të gjitha perlat ndërmjet këtyre dy plazheve masive në pika që frekuentohen nga pushuesit. Thirrje e veçantë është për vëllezërit dhe motrat që vijnë nga Kosova. Për ta, mikpritja, në Velipojë, është gjithnjë speciale, ndaj i bëj thirrje që të vijnë sa më shumë këtu e të kalojnë pushimet me ne.”- tha ministri Bushati.

Për promovimin e artizanatit dhe agroturizmit vendas, të rinjtë e Smile Albania janë instruktuar gjithashtu t’i ofrojnë dhe identifikojnë këto vlera, për pushuesit .

Festat lokale dhe aktivitetet promovuese do të vijojnë në mbarë vendin deri në fund të sezonit turistik, për të nxitur turizmin alternativ, punësimin e komunitetit dhe për të shtuar buzëqeshjet e turistëve që vizitojnë Shqipërinë.

Kategori