Trajneri justifikon Asllanin para duelit me Milanin: Penalltitë i kanë gabuar edhe kampionë të mëdhenj, ja si është lista
Penalltia e humbur nga Kristjan Asllani në ndeshjen ndaj Leçes ka qenë temë diskutimi gjatë gjithë kësaj jave në Itali. Por për trajnerin e Torinos, Marko Baroni, mesfushori nuk duhet të fokusohet tek ajo, por të qëndrojë i qetë në rrugëtimin që po bën me klubin.
“Në stërvitje Asllani i ka gjuajtur gjithmonë mirë penalltitë, nuk është penalltia e parë që gjuan. Fakti që ai dëshiroi të shfaqej në konferencë është për t’u vlerësuar, përgjegjësia është e imja që vendos gjuajtësit e penalltive. Ai dëshironte që ta gjuante që në ndeshjen e mëparshme, por ishte Vlashiç që është i pari. Kanë gabuar edhe kampionë shumë të mëdhenj në kompeticione të tjera, Asllani duhet të qëndrojë i qetë dhe po rritet. Ai duhet të bëjë më shumë pa u kushtëzuar nga penalltia e humbur”, tha trajneri para gazetarëve në konferencë për ndeshjen ndaj Milanit në Serinë A.
I pyetur se si ishte hierarkia e gjuajtësve, Baroni bëri gjithçka të qartë:
- “Vlashiç dhe Asllani janë të parët.
- Pastaj ndaj Atalantës caktova të gjuante Zapata se më dukej e drejtë ashtu.
- Vitin e kaluar u alternuan Zapata dhe Adams.
- Nesër do të vendos listën në dhomat e zhveshjeve, por brenda, jo jashtë, pasi nuk duhet ta shpërndajmë”, tha trajneri i Torinos.
