Astronautët Kinezë Kthehen në Tokë Pas Misionit Hapësinor

VIDEO/ Tre astronautët kinezë janë kthyer në Tokë pas qëndrimit në hapësirë

Tre astronautë kinezë, të cilët kishin mbetur të bllokuar për disa ditë në stacionin hapësinor kinez Tiangong për shkak të dëmtimeve në anijen e tyre të kthimit, janë rikthyer sot në Tokë. Astronautët u kthyen pa probleme me një anije tjetër, sipas autoriteteve.

Kthimi ishte planifikuar fillimisht për datën 5 nëntor, pas përfundimit të një misioni gjashtëmujor në stacionin hapësinor kinez. Ai u shty për shkak të zbulimit të çarjeve në anijen e tyre Shenzhou-20, e cila ishte e ankoruar në stacion. Këto dëmtime dyshohet të kenë ardhur si pasojë e përplasjes me mbeturina hapësinore.

Një dëmtim i tillë përbën rrezik jetik për ekuipazhin gjatë fazës së kthimit dhe hyrjes në atmosferën tokësore.

Kapsula hapësinore që transportonte ekuipazhin e misionit Shenzhou-20, e varur nga një parashutë gjigante me ngjyrat e kuqe dhe të bardhë, filloi të humbasë lartësi ngadalë para se të prekte tokën e shkretë në zonën e uljes në Mongolinë e Brendshme (në veri të Kinës), sipas pamjeve të transmetuara nga televizioni shtetëror kinez CCTV.

Të mbërritur në orën 16:40 sipas orës lokale, tre burrat – Chen Dong (46 vjeç), Chen Zhongrui (41 vjeç) dhe Ëang Jie (36 vjeç) – janë në gjendje të mirë shëndetësore, konfirmoi Agjencia Kineze për Fluturime Hapësinore me Ekuipazh (CMSA).

Scroll to Top