Atalanta e Gjimshitit përballet me një sfidë të pamundur kundër Bajernit, bavarezët kanë arritur vazhdimisht çerekfinalet e Champions League që nga viti 2019.
Shorti nuk ishte aspak i favorshëm për Atalantën e Berat Gjimshitit, e cila do të përballet me Bajern Mynih në raundin e 16-të të Ligës së Kampioneve. Përveç formës aktuale, edhe historia flet kundër tyre. Që nga edicioni 2018/2019, bavarezët nuk kanë dështuar të kalojnë raundin e 16-të, duke arritur gjithmonë të paktën çerekfinalet e kompeticionit më prestigjioz të kontinentit, madje duke e fituar atë në sezonin 2019/2020.
Më tej, për skuadrën e trajnerit Tomas Tuchel këtë sezon duket se gara për titullin në Bundesligë është thuajse e mbyllur. Ata kryesojnë renditjen me tetë pikë avantazh ndaj Borusia Dortmundit, vendi i dytë.
Megjithatë, skuadra e trajnerit Xhan Piero Gasperinit mund të gjejë njëfarë shprese, të paktën pjesërisht, nga përballjet e mëparshme me ekipet gjermane. Ndonëse ky do të jetë takimi i tyre i parë kundër Bajernit, vitet e fundit Atalanta ka shkruar histori kundër klubeve të mëdha gjermane.
Më e freskëta, padyshim, është ajo kundër Borusia Dortmundit. Por gjithashtu, në vitin 2024, ishte një ekip gjerman, Bajer Leverkusen i Çabi Alonsos – fitues i ligës dhe kupës gjermane – ai që u mund nga Gasperini në atë natë të paharrueshme në Dublin, duke e çuar ekipin bergamask drejt fitores në Ligën e Europës.
