Atentat Rinas: Autorët veprojnë si komando, dyshohet mesazh për Shullazin

Atentati në Rinas/ Klodiana Lala: Autorët veprojnë si grup komandosh paramilitarë

Gazetarja Klodiana Lala raporton se atentati i ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani (i njohur edhe si Sheqeri), i cili udhëtonte me të në të njëjtin automjet, dyshohet se ka qenë një mesazh për Emiljano Shullazin, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe është mik i ngushtë i viktimës.

Meqenëse autorët nuk mund ta arrinin Shullazin direkt, ata kanë vendosur të hakmerren ndaj personit të afërt me të. Grupi i atentatorëve ka pasur informacione tepër të sakta rreth lëvizjeve të Danit, madje ka mundësi që ai të jetë tradhtuar nga një person i afërt, i cili ka pasur dijeni për itinerarin e tij. Ky grup e ka pritur Danin me automjet për disa orë në rrethrrotullim, duke qenë të sigurt për kalimin e tij aty, për faktin se ai do të ishte pasagjer dhe se do të udhëtonte me një automjet të bardhë “Benz”.

“Besohet se mesazhi dhe objektivi ka qenë Emiljano Shullazi, por duke mos pasur mundësi për të arritur tek ai, janë hakmarë tek njeriu i afërt i tij, Gilmando Dani. Dani mund të jetë tradhtuar nga njerëzit e afërt të tij,” tha Lala.

Ajo shtoi se më 7 nëntor, Dani ka udhëtuar drejt Barcelonës, ndërsa atentatorët kishin informacione për çdo lëvizje të tij. Ata kanë pasur informacione aq të sakta sa kanë pritur në rrethrrotullim, duke e ditur se ai do të kalonte aty. Ata gjithashtu dinin që Dani ishte ulur në vendin e pasagjerit, ku dhe janë drejtuar plumbat.

“Autorët kanë vepruar si paramilitarë, njëri qëllon dhe tjetri mbron krahët. Kanë vepruar si komando, e ndihmon me armën, e pret derisa mbaron sulmin. Dani është tradhtuar nga njerëzit që ka takuar. Janë qëlluar deri në 80 plumba. Atentatorët kujdesen edhe të mos lënë gjurmë, duke mbledhur gëzhoja e plumba,” u shpreh gazetarja në “News 24”.

Duke theksuar se atentati ishte i mirëorganizuar dhe autorët duket se janë jo vetëm gjakftohtë, por edhe paramilitarë apo si komando, pasi ruajnë njëri-tjetrin gjatë sulmit taktik, deri në eliminimin e shënjestrës, Lala vuri në dukje mungesën e forcave të policisë në zonë dhe lehtësinë me të cilën vepruan atentatorët deri në largim, të pashqetësuar.

“Atentati ishte i mirëmenduar në detaje dhe i profilit shumë të lartë të organizuar. Por atentati ka ndodhur pranë aeroportit të Rinasit dhe është një kambanë alarmi. Në vend të godasë krimin e organizuar, policia merret me aksionin ndaj monopatinave. Avioni është vonuar me disa orë dhe Policia nuk ka pasur asnjë informacion për mjetin e dyshimtë që qëndronte aty në rrethrrotullim. Kjo tregon edhe paaftësinë e policisë. Nuk ka kontroll mbi territorin. Aty kishte turistë, qytetarë, biznese, kalimtarë e që për fat të mirë nuk janë dëmtuar,” tha ajo.

Në lidhje me pistat e ngjarjes, Lala tha se ka disa ngjarje nën verifikim, por larja e hesapeve dhe hakmarrja mes grupeve mbetet motivi kryesor.

“Pistat e krimit lidhen që nga vrasja e Vajdin Lames më 2005, përplasjet me bandat kriminale ndër vite, si me Shullazin ashtu edhe me Durim Bamin. Pista kryesore është larje hesapesh mes grupeve kriminale,” vijoi ajo.

Një tjetër paradoks alarmant ka qenë punësimi i agjentit Muçi Shaljani në AMP, pa certifikatë sigurie dhe në mënyrë të dyshimtë, që ngre edhe më shumë dyshim për strukturat e Policisë së Shtetit.

“Mos harrojmë që këtu kemi edhe agjentin e AMP-së që ishte në shoqërinë e një personi me rekorde kriminale. Një oficer që duhet të hetojë Policinë dhe që shoqërohet me një person ish të dënuar. Pikëpyetje edhe për rrethanat se si ai është rekrutuar, pikërisht kur AMP nuk kishte drejtues, pasi ka qenë i komanduar. Muçi Shaljani ka ndërruar edhe mbiemrin, e ka pasur Sheqeri, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe urojmë që ta kalojë situatën kritike,” – tha Lala.

Scroll to Top