Atentati ndaj gazetarit italian: La Repubblica raporton se po hetohet kryetrafikanti Artur Shehu
Prestigjiozja italiane, La Repubblica, ka hedhur dritë mbi atentatin ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci, duke ngritur një pistë të re hetimi. Sipas medias italiane, karabinierët po hetojnë kryetrafikantin shqiptar Artur Shehu.
Duke cituar burime hetimore, La Repubblica shkruan se Drejtoria e Antimafias ka marrë informacione nga Vlora për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin që ndodhi më 16 tetor, pranë banesës së moderatorit të emisionit ‘Report’.
Një mundësi motivit lidhet me një episod të emisionit ‘Report’ të datës 21 prill 2024, i titulluar “(Hot) Spot Albanese”, i cili trajtonte projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shqipëri. Në atë episod, emri i Shehut përmendet disa herë, duke e vendosur në kontekstin e lidhjeve dhe bizneseve që prekin qarqe politike dhe institucionale shqiptare.
Artikulli i plotë thekson se ka një pistë shqiptare në hetimin për atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci. Emri mbi të cilin janë përqendruar hetuesit është ai i Artur Shehut, 58 vjeç, biznesmen me origjinë nga Shqipëria, i konsideruar nga disa hetime si një figurë me peshë në krimin e organizuar të vendit të tij. Ai aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara, në Florida.
Sipas burimeve hetimore, Drejtoria e Antimafias ka marrë informacione nga Vlora për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin pranë banesës së moderatorit të emisionit ‘Report’. Edhe pse në fazën e hipotezës, kjo pistë po ndiqet me kujdes nga prokurorët e Drejtorisë Rajonale të Antimafias së Romës dhe karabinierët.
Në shërbimin “(Hot) Spot Albanese”, Shehu përshkruhet si një trafikant i rëndësishëm droge, i përmendur më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të supozuara me Cosa Nostra-n dhe Sacra Corona Unita-n. Raportohet se Shehu ka dhuruar tokë pranë Vlorës për fondacionin e gjeneralit Fabrizio Lisi, ish-kreu i Interpolit në Shqipëri, operacion ky i ndërmjetësuar nga avokati Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama.
Emri i Shehut nuk ishte i panjohur as për shtypin ndërkombëtar. Në mars 2021, gazeta amerikane ‘Miami Herald’ i kishte kushtuar një investigim të gjerë me titullin: “Nga një vilë në Miami Beach, një njeri me lidhje të supozuara me mafien ndërton një perandori tregtare në Shqipëri”.
Prokuroria po verifikon aktualisht edhe profilin ndërkombëtar të Shehut. Megjithatë, pistat për urdhëruesit e atentatit mbeten të shumta, duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve që ‘Report’ ka zhvilluar ndër vite. Vëmendja e hetuesve duket se është përqendruar kryesisht te disa sektorë të mafies shqiptare, ndërkohë që karabinierët po vazhdojnë verifikimet për të identifikuar personin që ka vendosur lëndën plasëse dhe atë që kishte tentuar të hynte në shtëpinë e dytë të gazetarit verën e kaluar.
