Enj. Kor 19th, 2018

Audio-përgjimi, PD-LSI kallëzim penal në prokurori

TIRANË, 11 korrik /ATSH- I. Vata/ Kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, dorëzuan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kallëzimin në lidhje me ekspertizën e audio-përgjimit.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, në një deklaratë për mediat, tha se opozita ka publikur një audio-përgjim të një bisede për transaksione me drogën i cili përfshinte dhe vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Menjëherë më pas, kryeministri në grupin parlamentar të PS-së deklaroi se audio-përgjimi është falso, është montazh dhe ai disponon provën e ekspertimit, të cilën e ka bërë një nga laboratorët më të njohur në botë dhe ndërkohë prokuroria ka hapur një hetim penal për këtë çështje”, tha Spaho.

Më tej, Spaho cilësoi se “sipas ligjit, kryeministri ka detyrimin të publikojë këtë ekspertizë”.

“Duke mos e bërë këtë, kryeministri jo vetëm ka manipuluar opinionin publik, por pengon zbardhjen e të vërtetës. Kështu, sipas ligjit iu drejtuam prokurorisë të nisë hetim ndaj kryeministrit për pengim të zbardhjes të së vërtetës”.

Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha për mediat se, kjo është një nisëm e përbashkët.

“Ky kallëzim, bënë të qartë se sot veprojnë dy prokurori, kjo që kemi ardhur sot të bëjmë kallëzimin dhe prokuroria e kryeministrit që ka bërë hetimin e audio-përgjimit”, tha Vasili.

/m.m/

Aktualitet – Agjencia Telegrafike Shqiptare