Hën. Nën 12th, 2018

Audiopërgjimi, PD-LSI kallëzim penal në Prokurori

TIRANË, 11 korrik /ATSH- I. Vata/ Kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, dorëzuan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kallëzimin në lidhje me ekspertizën e audiopërgjimit.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, në një deklaratë për mediet, tha se opozita ka publikur një audiopërgjim të një bisede për transaksione me drogën, i cili përfshinte dhe vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Menjëherë më pas, Kryeministri në grupin parlamentar të PS-së deklaroi se audio-përgjimi është falso, është montazh dhe ai disponon provën e ekspertimit, të cilën e ka bërë një nga laboratorët më të njohur në botë dhe ndërkohë prokuroria ka hapur një hetim penal për këtë çështje”, – tha Spaho.

Më tej, Spaho cilësoi se “sipas ligjit, kryeministri ka detyrimin të publikojë këtë ekspertizë”.

“Duke mos e bërë këtë, Kryeministri jo vetëm ka manipuluar opinionin publik, por pengon zbardhjen e të vërtetës. Kështu, sipas ligjit iu drejtuam prokurorisë të nisë hetim ndaj kryeministrit për pengim të zbardhjes të së vërtetës”.

Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha për mediet se, kjo është një nisëm e përbashkët.

“Ky kallëzim, bën të qartë se sot veprojnë dy prokurori, kjo që kemi ardhur sot të bëjmë kallëzimin dhe prokuroria e Kryeministrit që ka bërë hetimin e audiopërgjimit”, – tha Vasili.

/m.m/

Aktualitet – Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kategori