Pre. Kor 20th, 2018

Austria, partner i zhvillimit ekonomik të Kosovës

“PRISHTINË, 10 korrik//- “Mbështetja e Austrisë në rrugën drejt integrimeve europiane dhe euroatlantike të Kosovës është më se e nevojshme dhe ne besojmë se Austrinë do ta kemi partnere edhe në zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë takimit me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz.

Kryeministri Haradinaj, e ka përgëzuar kancelarin Kurz për udhëheqjen e radhës së Presidencës së BE-së nga Austria, duke shprehur bindjen se vendi i tij do të vazhdojë të jetë mbështetës i Kosovës në të gjitha proceset e zhvillimit.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e njohu kancelarin Kurz me zhvillimet e përgjithshme në vend, përkushtimin e institucioneve në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, axhendën e reformave europiane, procesin e dialogut me Serbinë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

“Austria si një aleat dhe mbështetës i Kosovës, ka dhënë kontributin e saj në ndërtimin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Prandaj, presim që edhe në të ardhmen ta keni rolin tuaj në përparimin e proceseve demokratike dhe të zhvillimit të gjithanshëm të vendit tonë”, tha Haradinaj, duke kërkuar nga kancelari Kurz thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit reciprok.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e Austrisë në proceset integruese.

Kancelari Kurz, po ashtu theksoi përkrahjen e plotë të shtetit të tij për Kosovën në zhvillim ekonomik, proceset integruese evropiane dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve./k.s/ j.p/

Lajme nga Vendi – Agjencia Telegrafike Shqiptare