Momente paniku! Autobusi i tifozëve të Manchester City përfshihet nga flakët
Dhjetëra tifozë të Manchester City përjetuan momente paniku pasditen e së dielës, teksa udhëtonin drejt Wembley Stadium për të ndjekur finalen e Kupës së Ligës kundër Arsenalit. Autobusi me të cilin po udhëtonin u përfshi nga flakët teksa ndodhej në autostradën M6.
Sipas raportimeve, zjarri shpërtheu fillimisht në pjesën e pasme të mjetit dhe brenda pak sekondash tym i zi doli nga çatia, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Falë reagimit të shpejtë dhe qetësisë së shoferit, autobusi u ndal menjëherë në anë të rrugës dhe të gjithë udhëtarët u evakuuan në kohë.
Në vendngjarje mbërritën me shpejtësi shërbimet zjarrfikëse dhe policia, ndërsa trafiku në M6 u ndërpre për një periudhë të gjatë. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Një nga tifozët u shpreh: “Falënderojmë zjarrfikësit për reagimin e menjëhershëm, pasi askush nuk u lëndua dhe nuk ishte në rrezik.”
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit, ndërsa nga autobusi ka mbetur vetëm një skelet i djegur.
