Arrestohet autori i dyshuar i grabitjes në një pikë këmbimi valutor në Tiranë
Autor i dyshuar për grabitjen me armë, e cila ndodhi ditën e sotme në një pikë këmbimi valutor në qendrën tregtare “Concord” në Tiranë, është arrestuar.
Sipas informacioneve paraprake, një i ri ka hyrë në ambientet e pikës “Exchange” dhe, nën kërcënimin e armës, ka marrë një shumë parash, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.
Gazetarja Xhensila Kodra ka siguruar pamjet filmike nga momenti i grabitjes. Në video, autori shihet i veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë, duke mbajtur kokën ulur për t’iu shmangur identifikimit nga kamerat e sigurisë, teksa pret që punonjësja e pikës së këmbimit t’i dorëzojë paratë.
Sipas të dhënave paraprake, grabitësi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të vjetra. Pas grabitjes, ai u largua nga vendi i ngjarjes me një motor. Menjëherë pas ngjarjes, policia organizoi kontrolle në zonë, duke arritur të identifikonte dhe të arrestonte autorin e dyshuar.
Ndërkohë, pritet që policia të japë më shumë detaje rreth identitetit të të arrestuarit dhe rrethanave të plota të ngjarjes.
