Autoritetet Palestineze nxjerrin trupa izraelitë nga rrënojat në Gaza
Autoritetet palestineze po përdorin buldozerë për nxjerrjen e trupave izraelitë nga rrënojat në jug të Gazës
Autoritetet palestineze në Rripin e Gazës po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur trupat e personave izraelitë të cilët besohet të jenë nën rrënojat e lëna pas nga ushtria izraelite pas dy vjetësh konflikt. Kërkimet kryesore po zhvillohen në zonat jugore të Gazës, me mjete të limituara dhe praninë e grupeve të armatosura të sigurisë.
Më konkretisht, në Khan Yunis, në jug të Rripit të Gazës, tre buldozerë janë angazhuar në largimin e grumbullimeve të rrënojave, duke kërkuar trupat e personave izraelitë, të cilët sipas Hamasit, humbën jetën nga sulmet izraelite ndërsa mbaheshin në ambiente nëntokësore.
Grupet e armatosura që operojnë në këtë zonë kanë marrë përgjegjësinë për sigurimin e vendit, ndërsa ekipet e shpëtimit përpiqen të afrohen në zonat ku dyshohet se janë eshtrat.
Operacionet janë karakterizuar nga vështirësi dhe ngadalësi, për shkak të mungesës së mjeteve teknologjike, të cilat kufizojnë aftësinë për kërkim dhe nxjerrje. Grupet mbështeten kryesisht në makineri të rënda për të pastruar rrënojat, duke munguar pajisjet e specializuara ose sistemet e avancuara të kërkimit.
Krahushat ushtarake e Hamasit, Brigadat Al-Qassam, njoftuan të mërkurën se po bëjnë përpjekje për të “mbyllur çështjen” e personave izraelitë, duke theksuar nevojën për pajisje dhe mjete teknologjike të specializuara për nxjerrjen e trupave nga rrënojat.
Që nga e hëna, Hamas ka liruar 20 persona izraelitë të gjallë dhe ka dorëzuar 10 trupa, nga gjithsej 28 që përfshihen në një marrëveshje shkëmbimi me Izraelin. Megjithatë, sipas Tel Avivit, një nga dhjetë trupat e dorëzuar nuk përkon me asnjë nga personat e zhdukur të regjistruar, duke çuar numrin total të të vdekurve të konfirmuar në 19.
Marrëveshja, e arritur javën e kaluar dhe bazuar në një plan të presidentit amerikan, parashikonte si fazë të parë lirimin e personave izraelitë në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur. Plani përfshin gjithashtu rindërtimin gradual të Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri administrativ, pa përfshirjen e Hamasit.
Që nga tetori i vitit 2023, operacionet izraelite kanë rezultuar në vdekjen e 68,000 palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke lënë Gazën në një gjendje thuajse të pabanuar.