Autoriteti i Konkurrencës kërkon ndryshime në kontratat celulare

Autoriteti i Konkurrencës do të kërkojë nga AKEP ndryshime në kushtet e kontratave të komunikimit

Autoriteti i Konkurrencës synon të kërkojë ndryshime në kushtet e përgjithshme të kontratave të shërbimit të operatorëve celularë. Kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, njoftoi se së shpejti Autoriteti do të publikojë një vendim lidhur me hetimin në tregun e shërbimeve celulare. Ai paralajmëroi ndryshime serioze në kontratat që kompanitë celulare do të aplikojnë për konsumatorët shqiptarë.

Duke iu referuar klauzolës së indeksimit vjetor të çmimeve, z. Biba shpjegoi se e drejta e operatorëve celularë për të indeksuar tarifat e shërbimit është e parashikuar në kontratat e lidhura me abonentët. Këto kontrata janë miratuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Megjithatë, ai theksoi se vendimi për mbylljen e hetimit do të përfshijë rekomandime sa i përket së drejtës së operatorëve për të përfshirë dispozita të tilla në kontrata.

Në nëntor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim të thelluar ndaj dy operatorëve celularë, Vodafone Albania dhe One Albania. Një pikë kyçe e këtij hetimi është pikërisht klauzola e indeksimit vjetor të çmimeve, e cila gjendet në kontratat e abonentëve të të dy kompanive.

AKEP nuk ka marrë ende një qëndrim zyrtar për këtë çështje. Megjithatë, në raportin e tij vjetor për vitin 2024, AKEP ka mbledhur informacion mbi legjislacionin e vendeve të tjera në lidhje me këtë lloj dispozite. Rezulton se, në përgjithësi, e drejta për indeksim me normën e inflacionit nuk është e ndaluar në legjislacionin specifik sektorial apo atë të përgjithshëm. Kjo lë të kuptohet se, në mungesë të një ndalimi të qartë, AKEP e konsideron praktikën e indeksimit të tarifave si ligjërisht të lejuar.

Megjithatë, një qëndrim kundër kësaj praktike është shprehur nga Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike (BEREC), autoriteti kryesor në rregullimin e këtyre tregjeve. Në një dokument të publikuar në dhjetor 2024, të titulluar “Opinioni i BEREC mbi tregun dhe zhvillimet teknologjike dhe mbi ndikimin e tyre në zbatimin e të drejtave të përdoruesve fundorë”, BEREC ka cilësuar përfshirjen dhe aplikimin nga operatorët të klauzolave kontraktore për rritje të çmimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës (In-contract price increase clauses) si një “zhvillim me ndikim shqetësues për të drejtat dhe përfitimet e përdoruesve fundorë”. Kjo për shkak se, në disa raste, këto klauzola kanë rezultuar në rritje të konsiderueshme të tarifave ose abonentët nuk kanë pasur të drejtën e ndërprerjes së kontratës pa penalitet.

Opinioni dhe propozimi i BEREC për Komisionin Europian theksojnë se këto klauzola paraqesin sfida për konkurrencën, përballueshmërinë, lëvizshmërinë e përdoruesit fundor (ndërrimin e ofruesit të shërbimit), transparencën dhe krahasueshmërinë e çmimeve. Përdorimi i tyre krijon rrezikun që qëllimet e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve të mos arrihen.

Pavarsisht këtyre rekomandimeve, AKEP nuk ka shprehur publikisht deri më tani ndonjë qëllim për të ndërhyrë ose për të ndaluar klauzola të tilla nga operatorët e komunikimeve elektronike në Shqipëri. / E.Shehu

Scroll to Top