Autostrada Tiranë-Durrës: Premtimet e Ballukut, dështime në zbatim

Premtimi i pambajtur i Ballukut për autostradën Tiranë – Durrës

Vjeshtën e kaluar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se 6 kilometrat e para të zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës do të hapeshin për qarkullim brenda muajit dhjetor 2025. Sipas saj, segmenti nga Casa Italia deri në mbikalimin e Kasharit do të shndërrohej në një autostradë tip A, me një gjerësi prej 32.5 metrash, tre korsi për çdo drejtim dhe një korsi emergjence.

Balluku shprehu optimizëm për ecurinë e projektit, duke deklaruar: “Ecuria e projektit është shumë e mirë. Pra, faza e parë është 65% ecuria dhe në fazën e dytë 85%. Domethënë ne shpresojmë që për festat e fundvitit ta kemi dorëzuar”. Rruga që lidh Tiranën me Durrësin është 38 km e gjatë dhe punimet për zgjerimin e saj nisën në shtator të vitit 2024.

Megjithatë, sipas kontratës, zgjerimi i 6 kilometrave të parë të rrugës Tiranë-Durrës duhet të përfundojë këtë shtator. Që në fillim, ministrja përgjegjëse pretendoi përfundim para afatit zyrtar. Verifikimet nga Faktoje kanë dëshmuar se puna në terren nuk përparon sipas pritshmërive optimiste të qeverisë. 6 kilometrat e para të rrugës nuk u përfunduan në fund të vitit.

Si pasojë, në fillim të këtij viti, 16% e rrugës që duhet të ishte hapur për qarkullim u bë e pakalueshme. Rruga Tiranë-Durrës u përmbyt më 6 janar nga reshjet e dendura të shiut, duke detyruar autoritetet të devijojnë trafikun në drejtime të tjera. Fotot e realizuara më 15 janar tregojnë se një pjesë e segmentit është ende në punime, me mjete ndërtimi aktive dhe zona të papërfunduara, ndërsa qarkullimi zhvillohet pjesërisht.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) sqaron se hapja e plotë e 6 km të para të rrugës u bë e pamundur për shkak të segmentit të urës pranë “Kullës Eiffel” që mbeti i papërfunduar. ARRSH informon se:

  • Afati i përfundimit të kontratës për zgjerimin e superstradës Tiranë – Durrës (Faza I) është 24.05.2026.
  • Për Fazën II, afati është 15 shtator 2026.
  • Faza III, që përfshin mbikalimin e Kasharit dhe Laknasit, nisi më 9 tetor 2025 dhe ka afat përfundimi 18 muaj.

Megjithatë, ARRSH ka paralajmëruar se afatet rrezikojnë të shkelen për shkak të shpronësimeve të pambaruara: “Faktorë që mund të ndikojnë është procesi i shpronësimeve që akoma nuk është përmbyllur.”

Përfundim

Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me një kosto prej 218 milionë euro. Deri më tani, projekti ka sjellë më shumë premtime të parealizuara sesa kilometra të dorëzuar. Deklaratat për hapjen e 6 km të para në dhjetor 2025 nuk u realizuan, ndërsa afatet kontraktuale tregojnë se punimet do të mbyllen në maj të këtij viti.

Nisur nga verifikimet dhe informacionet e mbledhura, deklarata e ministres Belinda Balluku se 6 km të para të rrugës Tiranë-Durrës do të hapen për qarkullim në fund të dhjetorit kategorizohet si e pavërtetë.

Scroll to Top