Avionët F-15 të SHBA-së rrëzohen gabimisht në Kuvajt

Si e rrëzoi Kuvajti gabimisht tre avionë luftarakë amerikanë F-15?

Gjashtë anëtarët e ekuipazhit të tre avionëve luftarakë amerikanë F-15E Strike Eagle arritën të shpëtojnë pasi u hodhën me parashutë, pas një incidenti të cilësuar si “zjarr miqësor” nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

Sipas një deklarate të CENTCOM, avionët u goditën gabimisht nga sistemi i mbrojtjes ajrore i Kuvajtit gjatë një misioni luftarak. Incidenti ndodhi në ditët e para të fushatës ushtarake të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, sipas The Guardian.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:03 (me kohën e Lindjes), ndërsa një video e publikuar në internet tregonte një nga avionët duke u rrëzuar në rajonin Al Jahra në Kuvajt.

Pas rrëzimit, njëri nga pilotët amerikanë u gjet nga banorët lokalë, të cilët fillimisht e ngatërruan me një pilot iranian. Të gjithë anëtarët e ekuipazhit arritën të hidheshin me parashutë dhe u gjetën më pas në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Autoritetet e Kuvajtit kanë pranuar se bëhej fjalë për një sulm aksidental dhe kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane pretenduan se rrëzimi i avionit ishte rezultat i veprimeve të Iranit, por Shtetet e Bashkuara mohuan që armët iraniane të kenë pasur rol në këtë ngjarje.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi sulme ajrore ndaj Iranit pa miratimin e Kongresit amerikan, çka ka shkaktuar reagime të forta dhe rritje të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Scroll to Top