Gjendet avioni i humbur në Kolumbi; humbin jetën 15 pasagjerë
Autoritetet kolumbiane kanë gjetur avionin Beechcraft 1900 të kompanisë shtetërore Satena, i cili ishte zhdukur gjatë një fluturimi rajonal mes qyteteve Cúcuta dhe Ocaña.
Avioni, me 15 persona në bord, përfshirë kongresmenin Diogenes Quintero, humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror menjëherë pas ngritjes.
Sipas kompanisë ajrore, në avion ndodheshin dy anëtarë të ekuipazhit dhe 13 pasagjerë. Mes tyre ishte edhe ligjvënësi kolumbian Diogenes Quintero, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve për Catatumbo-n.
Një ekip shpëtimi u dërgua në vendin e ngjarjes për të vlerësuar situatën. Megjithatë, Ministria e Transportit e Kolumbisë lëshoi më vonë një deklaratë, duke konfirmuar me keqardhje se nuk kishte të mbijetuar.
Zyrtarët nuk kanë mundur të përcaktojnë ende shkakun e rrëzimit, por kanë njoftuar se do të nisë një hetim.
Aeroplani, i operuar nga linja ajrore shtetërore Satena, u ngrit nga qyteti kufitar kolumbian Cúcuta dhe ishte nisur drejt Ocaña.
Presidenca e Kolumbisë konfirmoi se kontakti me avionin u humb pak minuta pas ngritjes.
Kush ishte Diogenes Quintero?
Quintero, 36 vjeç, ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve për Catatumbo-n, sipas Satena. Ai njihej si një aktivist për të drejtat e njeriut në rajonin e trazuar kufitar me Venezuelën dhe përshkruhej nga partia e tij si një udhëheqës i përkushtuar ndaj komunitetit të tij.
Presidenti Gustavo Petro shprehu ngushëllimet e tij në rrjetin social X: “Më vjen thellësisht keq për këto vdekje. I shpreh gjithë solidaritetin tim familjeve të tyre.”
