Avokati Redi Llani është arrestuar nga Policia e Vlorës pasi dhunoi fizikisht rojen e sigurisë në Gjykatën e Vlorës. Gjatë një konflikti në ambientet e gjykatës, avokati ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin e sigurisë, një 60-vjeçar, i cili ka pësuar dëmtime.
Raportohet se avokati Llani ka tentuar të hyjë në gjykatë duke pretenduar se ishte thirrur, por roja nuk ka pasur dijeni për këtë dhe nuk e ka lejuar të hyjë. Pas këtij refuzimi, ka ndodhur konflikti fizik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin R. Ll., 42 vjeç, me profesion avokat, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”. Ngjarja ka ndodhur më datë 10.10.2025, rreth orës 12:30, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.