Avokati i Thaçit: Haga nuk vërtetoi bashkëpunim në krim

Avokati i Thaçit në Gjykatën Speciale: Haga nuk vërtetoi bashkëpunimin në krim!

Këtë të mërkurë po zhvillohet dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit Thaçi, Lluka Mishetiq, ka marrë sërish fjalën, duke trajtuar aspekte të ndryshme të rastit kundër klientit të tij.

Lidhur me përgjegjësinë penale ndaj Thaçit, përkatësisht atë që Prokuroria e cilëson si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (NPK), Mishetiq u shpreh se “qëllimi kriminal i përbashkët nuk ka ekzistuar, nuk ka pasur kurrë një plan kriminal për të nënshtruar kontrollin në gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve që paraqiten në aktakuzë”.

Ai shtoi: “ZPS pretendon se të akuzuarit kanë dhënë kontribut për këtë plan. Por, qëndrimi i kësaj gjykate është që në mënyrë që të kemi përgjegjësi për NPK, ZPS duhet të vërtetojë se Thaçi ka kontribuar në kryerjen e krimeve që paraqiten në aktakuzë”.

Sipas tij, ZPS nuk i është përgjigjur pyetjes kyçe dhe nuk e ka vërtetuar se si Thaçi ka dhënë kontribut në veprat për të cilat akuzohet, ku përfshihen vrasje dhe ndalime të paligjshme, duke argumentuar se ai gjendej jashtë vendit shumicën e periudhës që mbulohet në aktakuzë.

Scroll to Top