Avokati Veliajt tërhiqet, konflikt interesi para Gjykatës Kushtetuese

Avokati i Veliajt tërhiqet nga mbrojtja në Gjykatën Kushtetuese: Jam në konflikt interesi

Erion Veliaj pritet që ditën e nesërme të paraqitet në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra, si dhe dekreti i Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.

Megjithatë, pak orë para kësaj seance, avokati Jordan Daci ka njoftuar se është tërhequr nga mbrojtja ligjore që pritej t’i bënte ish-kryebashkiakut pranë kësaj Gjykate. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Daci deklaron se është tërhequr nga rasti, pasi pretendon se është në konflikt interesi.

“Në përgjigje të interesit publik lidhur me angazhimin tim si mbrojtës i mundshëm i z. Veliaj para Gjykatës Kushtetuese, pas një vlerësimi të kujdesshëm në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës, konstatoj që jam në konflikt interesi për shkak të angazhimeve të mia dhe studios time ligjore në raste të tjera të mëparshme ende në proces dhe shkaqe të tjera nga ato për të cilat ligji, etika dhe morali na detyrojnë të mos jemi mbrojtës në raste si këto. Për këto arsye bëj me dije që s’do jem mbrojtësi i tij para Gjykatës Kushtetuese në gjykimin e nesërm”, shkruan avokati.

Ekipi ligjor i Veliajt tani do të duhet të gjejë një tjetër avokat. Nëse seanca e parashikuar do të zhvillohet, kjo varet nga gjetja e një avokati tjetër, i cili normalisht do të kërkojë kohë për t’u njohur me aktet dhe dosjen.

Scroll to Top