Presidenti i Koresë së Jugut: Rajoni i Azi-Paqësorit në një pikë kthese kritike
Rajoni i Azi-Paqësorit ndodhet në një pikë kthese kritike, ndërsa rendi ekonomik global po ndryshon me shpejtësi. Kështu u shpreh sot Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) të mbajtur në Gyeongju, Korenë e Jugut.
Ekonomitë e shteteve anëtare të APEC kontribuojnë me 50% të tregtisë botërore dhe 61% të PBB-së globale.
Në kuadër të samitit, presidentët e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara u takuan të enjten me qëllim arritjen e një armëpushimi në mosmarrëveshjen tregtare mes dy vendeve.
“Është e qartë se nuk mund të jemi gjithmonë në të njëjtën anë, por duhet të punojmë së bashku për të arritur prosperitet kolektiv”, tha presidenti i Koresë së Jugut.
Ai shtoi se “Ndërsa rendi i tregtisë së lirë pëson ndryshime dramatike, pasiguria ekonomike globale thellohet, tregtia dhe investimet humbasin vrullin”.
Lee theksoi se bashkëpunimi midis anëtarëve të APEC është përgjigja e duhur ndaj sfidave ekonomike të kohës.
