Enj. Nën 22nd, 2018

“Babalja” e PD-së, mediet publikojnë përgjimet: Alizoti pranon se u shtir si vëllai i Fatmir Xhafajt

TIRANË, 8 tetor /ATSH- I. Vata/ – Medie vizive, por edhe të shkruara, kanë publikuar sot pjesë nga përgjimet të cilat tregojnë se si i ashtuquajturi “dëshmitari X”, komunikon në telefon me Fredi Alizotin, që në audiopërgjim shtirej si Agron Xhafa.

Sipas medieve, një pazar i prishur prej 200 mijë eurosh zbulon të vërtetën e “Babales”, ku ka bërë Fredi Alizotin të pranojë të vërtetën, madje të pranojë se ka biseduar dhe me deputetin e PD-së, Ervin Salianji.

“Në 6 qershor, kur zhurma politike po kryqëzonte ministrin e Brendshëm dhe kur Albert Veliu gjendej në Kosovë, ai flet me Fredi Alizotin për çështje lekësh dhe për likuidim të punës së bërë. Aktori tregon se kishte takuar person tjetër, për të cilin Albert Veliu i thotë që t’i kërkojë pagesën”, raporton Top Channel.

Po sipas Top Channel, nga analiza e tabulateve rezulton se përpara se të publikohej audiopërgjimi, fillimisht Albert Veliu ka kontaktuar me Ervin Salianjin në datën 20 tetor të vitit 2017 dhe më 21 tetor 2017, ai ka vendosur kontakt edhe me gazetarin Jetmir Olldashi.

Po sipas medieve, në dosjen hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda përfshihen 340 faqe përgjime të Albert Veliut, i njohur ndryshe si “Babalja”, me kunatin e tij, Fredi Alizoti dhe gazetarin që bashkëpunoi për realizimin e audiopërgjimit, Jetmir Olldashi.

Edhe sipas “News24” dhe “BalkanWeb” audiopërgjimi i publikuar nga PD, që implikonte vëllain e Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, në pazare droge, nuk është origjinal. /r.e/

Kategori