Në Parlament, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, solli në vëmendje një episod nga ndeshja me Serbinë. Sipas tij, tifozët serbë thërrisnin “Sali Berisha” kur donin të ofendonin. Balla gjithashtu deklaroi se “Sali Berisha është një dhëndër i mirë i Serbisë, sepse i ka shërbyer sa herë ka pasur mundësi”.
Nga ana tjetër, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u kundërpërgjigj duke bërë një bilanc të viktimave gjatë agresionit serb në Kosovë. Ai përmendi masakrat në Likoshan, Prekaz, Shalë të Bajgorës dhe Abri të Epërme, si dhe masakrën e Lubeniqit, ku humbën jetën qindra civilë, përfshirë gra shtatzëna.
Berisha theksoi se ata që “shkelin mbi gjakun” e viktimave të këtij gjenocidi nuk janë shqiptarë dhe i cilësoi ata si “njeri primitiv ose kafshë”. Ai shtoi se mohimi i ndërgjegjes kombëtare është jashtë çdo procesi.
Ai gjithashtu akuzoi drejtuesit aktualë se janë “argat të Vuçiçit” dhe se çdo kombësi duhet të qëndrojë kundrejt gjenocidit, të cilin e përkufizoi si “vrasja për shkaqe etnike e civilëve”.