Die. Sht 23rd, 2018

Balla: Jemi në negociata me LSI për miratimin e ligjit të Magjistraturës

TIRANE– Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur jashtë ambienteve për akuzat e opozitës se është manipuluar votimi për Teatrin në seancën e kaluar. Balla tha sipas pamjeve të administruara nga Sekretariati i Kuvendit votimi është në rregull, por deputeti Robert Bitri ka votuar përmes kartës së Vangjel Tavos që nuk ishte i pranishëm në Kuvend.

Ndryshimi i kartave sipas Taulant Ballës është bërë nga disa deputetë të LSI, emrat e të cilëve do bëhen publikë së shpejti, ndonëse aludohet se ka qenë Endrit Braimllari dhe Edmond Panariti.

“Robert Bitri ka votuar në atë seancë përmes kartës së Vangjel Tavos. Sipas sekretariatit që ka admiruar provat filmike duket qartë që deputetë të caktuar të LSI kanë marrë kartën nga vendi i Vangjel Tavos dhe e kanë çuar në vendvotimin e zotit Robert Bitri.Nuk ka rëndësi kush e ka bërë këtë veprim në kuptimin dhe të rregullores së Kuvendit sepse ky votim nuk ka ndryshuar as në kuorumin e vendimarrjes dhe as në rezultatin e votimit”- tha Balla.

Sa i përket pr.ligjit për magjistraturën i shtyrë për në seancën tjetër, pasi opozita mungoi sot në Kuvend dhe për miratim nevojiten 84 vota, Balla tha se po zhvillohen negociata zyrtare me LSI-në për të miratuar ndryshimet ligjore për Shkollën e Magjistraturës.

“Po ju them dhe dua të jem shumë transparent që kemi një komunikim zyrtar me LSI për këtë çështje, por dua të theksoj që të ruajmë konsekuencën e qëndrimeve tona për një çështje të caktuar. Për çështjen e Shkollës së Magjistraturës, edhe LSI edhe PD duhet të qëndrojnë konsekuent asaj që kanë pasur edhe dy vite më parë, dakordësinë për të vijuar procesi i pranimeve. Pse jemi sot në kohë vonese dhe na duhet të ndryshojmë një aspekt që ka të bëjë me afatin”- tha Balla.

(InfoPasqyra/BW)

Kategori