Enj. Nën 22nd, 2018

Balla: Kërkesa e opozitës, eksport balte te partnerët ndërkombëtarë

TIRANË, 7 tetor /ATSH- I. Vata/ Kryetari i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me kërkesën e opozitës për largimin e  tij nga delegacioni Parlamentar i Stabilizim-Asociimit, duke e konsideruar kërkesën e opozitës si një eksportim balte te partnerët ndërkombëtarë.

Në reagimin e tij, Balla shprehet se: “Çdo ditë që kalon kuptohet edhe më mirë se si Luli dështoi jo vetëm me zgjedhjet e me drejtimin politik të opozitës, po edhe me prodhimet filmike te studios PD&KUNATI shpk! Babalja dhe Salianji janë tanimë subjekte të punës së prokurorisë, njëri me fletë arresti të prerë, tjetri me faqen e nxirë nga përfshirja në film. Ndërkohë edhe filmi tjetër me nënkomisarin që u kërcënua në praninë time me armë në komisariat, është drejt dështimit të plotë sepse jetojmë në kohën dixhitale dhe ka qeliza telefonike e kamera që i nxjerrin bllof, dylbitë e Palokës”.

Po ndërkohe shprehet Balla në vijim se “kjo baltë seriale është ende e vlefshme për eksport se miqtë e huaj s’kanë kohë të merren me detajet e këtyre manipulimeve të ndyra”.

“Kështu edhe në Parlamentin Europian, bazuar tërësisht mbi shpifje, sapo u çua një kamion me baltë për të më mbuluar mua në sytë e partnerëve tanë. Hallin tim s’e kam fare se kam vite që përplasem pa kompromis me këtë llum dhe pres edhe me keq se kaq! Po a e meriton Shqipëria këtë baltosje të vazhdueshme!? Ua le shqiptareve ta gjykojnë”, thekson ai.

“Unë vetë, shton Balla, kam nderin të bashkëdrejtoj Komitetin Parlamentar të Stabilizim- Asociiimit BE-Shqipëri prej 5 vitesh, në fillim me Eduard Kukan dhe tani me Monica Macovei dhe jam anëtari i vetëm i tij pa ndërprerje prej krijimit 10 vite më parë. Jam i sigurt që pas pak ditësh do të kërkojnë edhe largimin si Kryetar i Komitetit Parlamentar Gjermani-Shqipëri, habitem që nuk e përmendën që sot. Nëse opozita do ta përdorë këtë kërkesë si argument për të bojkotuar edhe takimin ne Bruksel, atëherë thjeshte gjeni argument tjetër”, thotë Balla. /j.p/

Kategori