Përmbytjet, Balluku: Të gjithë banorët e prekur do të kompensohen, skuadrat janë në terren
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me banorë në Asturkas, Fier, duke theksuar se strukturat janë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.
“Jemi, ta quajmë, në një fazë përmirësimi të situatës, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Sigurisht, këtu jemi shumë afër hidrovorit dhe kjo është një zonë ku vazhdon të ketë prani uji. E rëndësishme është që nga 20 banesat që janë prekur, asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar. Është bërë evakuimi i plotë i të gjithë banorëve të zonës. Para pak orësh, kishim një situatë me dy barinj, të cilët nuk arrinim t’i kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur dhe janë të sigurt,” tha ajo.
Balluku shtoi se situata është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të Emergjencave Civile dhe të gjithë grupeve të tjera. “Forcat e Armatosura kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në të gjitha këto ditë të vështira dhe sfiduese pothuajse në të gjithë vendin,” nënvizoi ajo.
Lidhur me motin, zëvendëskryeministrja tha: “Nuk parashikohet në dy-tre ditët në vazhdim të ketë reshje, dhe kjo do të jetë koha për të rikuperuar edhe dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Para pak po diskutonim me inxhinierët e bordit të kullimit përsa i përket kësaj situate. Gjithsecili është në pozicionin e vet, në krye të detyrës, duke u përgjigjur kërkesave të qytetarëve.”
Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes për banorët:
- Të gjithë banorët e zonave të përmbytura që kanë nevojë për mbështetje për ushqimin e bagëtive, duhet të kontaktojnë menjëherë me pushtetin vendor.
- Janë në dispozicion rezervat e shtetit për të ndihmuar banorët si për nevojat personale, ashtu edhe për ushqimin e bagëtive.
“Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës. Skuadrat janë këtu. Do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve,” u shpreh Balluku.
Ajo gjithashtu sqaroi situatën me kaskadat:
- Përsa i përket kaskadës së Devollit, shkarkimet janë ulur në kuotën minimale, më të ulëta se prurjet që ka kaskada në këto momente.
- Kompania Statkraft ka ulur shkarkimet për të pasur një menaxhim të mirë, ashtu siç është bërë edhe me kaskadën e Drinit, e cila ka menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer, duke minimizuar përmbytjet në Fushë-Shkodër.
“Tani do na duhet të bëjmë të gjitha riparimet e duhura. Do na duhet të bëjmë vlerësimin e dëmeve, ashtu siç kemi thënë, siç e ka thënë kryeministri Rama. Më pas, në një mënyrë të drejtë, me të gjitha grupet e ngritura nga bashkitë dhe Emergjencat Civile, do të bëjmë shpërndarjen e kompensimit,” tha ajo.
Kompensimi do të jetë ekuivalent me një skemë që po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë, për banorët që janë prekur në banesa, si dhe për dëmet në sera apo toka bujqësore.
