Balluku: Deputetët e PS-së presin sinjal nga Rama

Bardhi për Ballukun: Deputetët e PS-së presin një sinjal nga Rama

Ditën e sotme, 23 shkurt, u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zv/kryeministren Belinda Balluku. Siç duket, mazhoranca dhe opozita janë ndarë në qëndrime dhe pritet që të dalin me raporte të ndryshme në seancën parlamentare.

Në një komunikim live me emisionin “Opinion”, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Gazment Bardhi, u shpreh se mazhoranca është në siklet pasi nuk ka një qëndrim zyrtar për çështjen.

“Siç e dëgjuat, nuk e dimë akoma çfarë qëndrimi kanë sepse siç e patë secili prej tyre është në siklet të madh për të deklaruar një qëndrim,” tha Bardhi.

Sipas kreut të grupit të PD-së, deputetët e mazhorancës po presin një sinjal nga kryeministri Edi Rama, duke e akuzuar kreun e qeverisë se ka vendosur të pengojë drejtësinë.

“Po presin një sinjal nga Rama, i cili ka vendosur të pengojë drejtësinë, të pengojë hetimet e prokurorisë, jo për të mbrojtur zonjën Ballukun, por veten nga kjo dosje ku rezulton i përfshirë njëlloj si zonja Balluku,” tha Bardhi.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka ndodhur në asnjë rast që Kuvendi të ketë refuzuar një kërkesë të SPAK-ut. Sipas Bardhit, arsyeja e vetme që Kuvendi të rrëzojë kërkesën e prokurorisë është nëse hetimi rezulton të jetë i motivuar politikisht. Por sipas tij, gjatë mbledhjes si prokurorët, por edhe avokatët e Ballukut e kanë mohuar diçka të tillë.

“Prokurorët i pyeta nëse zonja Balluku gjatë gjithë kësaj periudhe a ka ngritur pretendim që po ndiqet politikisht? Prokurorët konfirmuan që nuk ka patur asnjë pretendim të tillë. Akoma më provues për këtë ishte pohimi i vetë avokatëve të saj, të cilëve u bëra të njëjtën pyetje. I pyeta a keni ndonjë pretendim që ky hetim është i motivuar politikisht dhe në rast se është për çfarë arsye? Dhe përgjigja ishte që ata nuk kanë asnjë pretendim të kësaj natyre dhe e konsiderojnë një çështje ligjore që po e kryen prokuroria,” tha Bardhi.

Bardhi tha se edhe në takime private, partnerët ndërkombëtarë kanë shtuar shqetësimet për “pengimin e drejtësisë”.

Scroll to Top