Balluku, takim në kryeministri në mbrëmje pas daljes nga SPAK
Belinda Balluku është fotografuar duke hyrë në kryeministri mbrëmjen e sotme. Zëvendëskryeministrja u pa duke hyrë në godinën kryesore të ekzekutivit pasi u mor në cilësinë e së pandehur nga SPAK, edhe pse u la pa asnjë masë arresti.
Ajo po hetohet për çështjen e tunelit të Llogarasë, që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 180 milionë euro. Prokuroria e Posaçme deklaroi se procedimi ndaj Ballukut është regjistruar këtë vit dhe është bashkuar me hetime të vitit të kaluar për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale në ngarkim të Ballukut kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për procedurën e prokurimit “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë).
Kjo procedurë është zhvilluar në datën 11 dhjetor të vitit 2020 dhe pas anulimit të saj, është rihapur më datë 22 qershor të vitit 2021, me fond limit 18 miliardë e 967 milionë lekë, pa TVSH, ose më shumë se 180 milionë euro.
