Balluku: Imuniteti në provë, Rama përballet me drejtësinë

BIRN: Imuniteti i Ballukut vihet në provë raporti i Ramës me drejtësinë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme kërkon autorizimin e Kuvendit për një masë arresti ndaj numrit dy të qeverisë. Nëse kjo kërkesë rrëzohet me votë, analistët politikë e cilësojnë si “një shpallje lufte” të mazhorancës ndaj institucioneve të drejtësisë.

Drejtuesi në detyrë i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i ka kërkuar të martën Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për paracaktimin e një sërë tenderash me vlerë qindra milionë euro. Kërkesa thekson se SPAK synon të forcojë masat ndaj Ballukut, duke kaluar nga ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi i ushtrimit të detyrës, në arrest me burg ose në shtëpi.

Pasi fitoi një betejë të diskutueshme në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Edi Rama përballet tani me një sfidë lidhur me raportin e mazhorancës së tij me sistemin e drejtësisë. Në një koment të shpejtë në rrjetin X, Rama ka shprehur qëndrimin e tij kundër asaj që ai e quajti “arrest pa gjyq” dhe “modë e vrazhdë” e paraburgimeve në Shqipëri, duke lënë të nënkuptohet një qasje e ndryshme nga proceset e tjera të ngjashme.

“Këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë. Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, dhe do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi,” shkroi Rama.

Opozita ka reaguar menjëherë, duke akuzuar kryeministrin se përmes mbrojtjes së Ballukut po i shpall luftë institucioneve të drejtësisë. “Një vend demokratik nuk i bën presion drejtësisë duke paralajmëruar përdorimin e forcës së kartonave për të shkelur barazinë para ligjit,” komentoi deputetja demokrate, Jorida Tabaku, duke shtuar: “Çdo votë kundër drejtësisë, është votë pro vjedhjes”.

Kuvendi nuk ka bërë ende asnjë njoftim publik për kërkesën e SPAK lidhur me imunitetin e Ballukut. Megjithatë, BIRN mësoi se deputetët janë njoftuar se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet të premten, më 19 dhjetor. Sipas rregullores së Kuvendit, ky Këshill do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do t’i japë mundësinë Ballukut të paraqesë mbrojtjen e saj. Më pas, një raport i hartuar nga Këshilli i Mandateve, i cili i sugjeron Kuvendit të votojë pro ose kundër kërkesës së prokurorisë, do të hidhet në votim në seancë plenare, një proces që duhet të përfundojë brenda dy javësh. Megjithatë, rregullorja parashikon gjithashtu se nëse Kuvendi nuk shprehet brenda 3 muajsh, kërkesa e prokurorisë konsiderohet e rrëzuar.

Mazhoranca e kryeministrit Edi Rama ka pasur qëndrime të ndryshme ndaj kërkesave të mëparshme të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve të saj. Në vitin 2018, mazhoranca rrëzoi një kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar për implikim në trafik droge. Tahiri më pas dha dorëheqjen dhe vuajti një dënim për shpërdorim detyre. Ndryshe nga rasti Tahiri, mazhoranca ka pranuar pa diskutim kërkesat e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe deputetëve socialistë, Alqi Bllako dhe Jurgis Çyrbja.

Pavarësisht fuqisë së votave dhe hapësirave ligjore në dispozicion të mazhorancës, juristët theksojnë se Kushtetuta dhe parimet e shtetit të së drejtës kërkojnë që veprimet e Kuvendit të mos pengojnë drejtësinë. Avokati Gentian Serjani i tha BIRN se procedura konkrete për shqyrtimin e kërkesës për arrestimin e një deputeti është parashikuar në nenin 118 të Rregullores së Kuvendit, por këto parashikime mund të keqpërdoren politikisht nga mazhoranca.

“Ekziston rreziku real që mazhoranca parlamentare, nën ndikimin politik të Kryeministrit Rama, të mos votojë pro, ose të shfrytëzojë afatin tre-mujor të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit për të mos marrë asnjë vendim, duke sjellë rrëzimin automatik të kërkesës dhe, për rrjedhojë, mosheqjen e imunitetit të Ballukut,” tha Serjani. “Një veprim i tillë, ndonëse formalisht i mbështetur në leximin literal të Rregullores, përbën shkelje të frymës së Kushtetutës, cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe minon funksionimin e drejtësisë penale,” shtoi ai.

Serjani sugjeron se nëse Kuvendi zgjedh të përdorë këtë “klauzolë”, kjo do të binte ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe me standardet e praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai thekson se Kushtetuta garanton barazinë para ligjit dhe në këtë rast “imuniteti nuk mund të shndërrohet në instrument mbrojtjeje politike apo personale nga ndjekja penale, pasi një praktikë e tillë do të cenonte besimin e publikut në drejtësi dhe në institucionet përfaqësuese”.

Reforma në Drejtësi u votua në vitin 2016 me konsensus të përbashkët mes mazhorancës socialiste dhe opozitës. Edi Rama ka përdorur mbështetjen ndaj kësaj reforme si një “trofe” në çdo fushatë zgjedhore. Ai ka premtuar disa herë se Partia Socialiste nuk do të bëhet mburojë politike përballë hetimeve të SPAK dhe se çdo i akuzuar do të përballej personalisht me drejtësinë, por këto premtime duket se nuk përfshijnë Belinda Ballukun.

Balluku është rasti i parë ku një zyrtare kaq e lartë e qeverisë merret e pandehur nga SPAK me akuza për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro, ndërkohë që vijon të qëndrojë në detyrë. Kryeministri ka marrë përsipër mbrojtjen e saj juridike dhe publike.

Kërkesa për arrestimin e Ballukut vjen vetëm disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të kryeministrit Rama, vendosi të pezullojë efektet e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra. Nëse Rama vendos të rrëzojë kërkesën e SPAK për Ballukun, sipas analistëve politikë, kjo do të ishte një shpallje e hapur lufte për drejtësinë.

Pedagogu i Shkencave Politike, Ermal Hasimja, i tha BIRN se nëse mazhoranca e mbron Ballukun, e vetmja gjë që i mbetet Ramës është “përplasja me drejtësinë dhe ndërkombëtarët si sponsorë të saj”. “Nëse refuzon heqjen e imunitetit, Rama del hapur në përplasjen me drejtësinë,” tha Hasimja, duke e konsideruar këtë një pikë të rrezikshme për institucionet e drejtësisë.

Edhe për Rigels Xhemollari, drejtor i organizatës “Qendresa Qytetare”, ky moment do të tregojë nëse Rama do të hyjë në një përplasje me drejtësinë dhe do të cenojë reformën në drejtësi. “Nga pikëpamja politike, nëse Rama vendos 83 mandatet në mbrojtje të Ballukut, kundër interesit publik, ky do të jetë edhe fundi politik i qeverisë së tij, pasi mendoj se SPAK ka prova të mjaftueshme që qytetarët janë vjedhur nga veprimet e zv.kryeministres,” tha Xhemollari.

Edhe pse ai nuk beson se kryeministri do të refuzojë kërkesën e SPAK, parashikon gjithsesi një retorikë dhe një qasje të re ndaj drejtësisë. Xhemollari e sheh një përplasje të Ramës me organet e drejtësisë si përplasje edhe me faktorin ndërkombëtar që mbështet reformën në drejtësi.

“Përveç faktorit të brendshëm, duhet të kemi parasysh edhe mbështetjen e fortë politike dhe teknike amerikane që ka struktura e posaçme e prokurorisë, fakt që ia vështirëson mbrojtjen me mandate të çdo politikani shqiptar të akuzuar dhe faktuar për korrupsion,” përfundoi Xhemollari.

Scroll to Top