Balluku në Gjykatën e Lartë, Kuvendi pengon arrestimin

Balluku i drejtohet Gjykatës së Lartë për pasaportën, ndërsa Kuvendi pengon arrestimin

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka paraqitur një rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës shtrënguese të ndalimit të daljes jashtë vendit, e cila i është vendosur në kuadër të hetimit penal të nisur nga Prokuroria e Posaçme.

Lidhur me masën e pezullimit nga ushtrimi i detyrës, Balluku nuk ka shprehur kundërshtime, pasi kjo masë është pezulluar përkohësisht nga Gjykata e Posaçme e Apelit, duke pritur vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht, ajo vijon të ushtrojë detyrën e saj si zv/kryeministre dhe ministre e energjisë.

SPAK ka kërkuar masa e sigurisë ndaj Ballukut në kuadër të hetimeve për dyshime të forta mbi shkeljen e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Këto dyshime lidhen me disa procedura të mëdha prokurimi publik, me vlerë qindra milionë euro.

Hetimi fokusohet kryesisht te tenderi për tunelin e Llogarasë dhe disa segmente të Unazës së Madhe të Tiranës. Prokuroria dyshon për paracaktim fituesish, manipulim të procedurave dhe ndërhyrje direkte nga titullari i institucionit.

Sipas SPAK, pozicioni i Ballukut në detyrë përbën rrezik për procesin hetimor dhe interesin publik, pasi ajo dyshohet se ka ndikuar në marrjen e provave dhe ka ushtruar presion ndaj vartësve.

Prokurorët kanë argumentuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale dhe i komprometimit të mëtejshëm të hetimit, gjë që ka sjellë edhe kërkesën për masa më të rrepta sigurie, përfshirë arrestimin.

Rekursi në Gjykatën e Lartë paraqitet në një moment kyç të procesit, ndërkohë që paralelisht Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar të kalojë për votim autorizimin e masave ndaj zyrtares.

Scroll to Top