Zbardhet kërkesa e qeverisë për Ballukun në Kushtetuese: Pezullimi ka pasoja të rënda
Janë zbardhur pjesë nga kërkesa e Kryeministrisë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”. Në kërkesën e paraqitur nga qeveria, kërkohet pezullimi i vendimit të GJKKO-së për Ballukun, duke theksuar se “pezullimi nga detyra” sjell pasoja të rënda për interesin shtetëror dhe shoqëror.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional, pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian. Rreth 800 projekte duhen miratuar deri në fund të vitit 2027 nga ministria që udhëhiqej nga ministri, i cili është pezulluar me vendimin e GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.
Balluku u pezullua nga detyra pas kërkesës së SPAK, masë që u miratua nga Gjykata e Posaçme bashkë me detyrimin për të mos dalë jashtë vendit. Zëvendëskryeministrja u mor e pandehur për tenderin me vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Ajo është nën hetim edhe për tenderin prej 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Balluku akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”, pasi dyshohet se ka ndikuar për të paracaktuar fituesin.
