Balluku rikthehet në detyrë, opozita akuzon Gjykatën Kushtetuese

Kthimi në detyrë i Ballukut/ Blushi: Kushtetuesja, instrument i mbrojtjes së Ramës

Menjëherë pas vendimit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese për marrjen në shqyrtim të ankimimit të qeverisë lidhur me çështjen “Balluku”, duke rrëzuar pezullimin e SPAK-GJKKO deri në marrjen e vendimit përfundimtar, kanë shpërthyer reagimet e forta politike. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka materializuar kapjen e saj nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Ai nënvizoi se Partia e Lirisë dhe presidenti i saj i burgosur, Ilir Meta, kishin paralajmëruar më parë se kjo kapje do të sillte pasoja të rënda.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë është një provë tjetër, e dukshme për të gjithë, e kapjes së plotë të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Partia e Lirisë dhe Presidenti Ilir Meta kanë kohë që paralajmërojnë se kapja e Gjykatës Kushtetuese do të kishte pasoja shumë të rënda për vendin,” u shpreh ai.

Blushi theksoi se ky është një humbje e madhe për popullin shqiptar dhe se Gjykata Kushtetuese, e cila “duhet të ishte barriera e fundit kundër abuzimit të pushtetit, është shndërruar në një instrument zyrtar për mbrojtjen politike, pandëshkueshmërinë dhe garantimin e imunitetit politik për korrupsionin e madh të Edi Ramës.”

Scroll to Top