Banka Botërore rrit pragun e varfërisë në 8.3 USD në ditë, duke përfshirë edhe Shqipërinë
Në Shqipëri, konsiderohesh i varfër nëse fiton më pak se 8.3 USD në ditë. Banka Botërore ka përcaktuar një prag më të lartë varfërie prej 8.30 dollarësh për të pasqyruar standardet më të larta të jetesës në një botë në ndryshim. Deri në qershor 2025, ky prag ishte 6.85 USD në ditë.
Vlera prej 8.30 dollarësh përfaqëson pragun tipik të varfërisë për vendet me të ardhura të larta-mesatare. Kjo shumë konsiderohet si nevoja minimale për të mbuluar shpenzimet bazë ditore, si ushqimi, veshjet, strehimi, kujdesi shëndetësor dhe arsimi.
Pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 8.30 dollarë në ditë është një tregues i dytë që Banka Botërore përdor në strategjinë e saj të zgjeruar për krijimin e një bote pa varfëri dhe një planet të jetueshëm.
Sipas Bankës Botërore, “Një shumicë në rritje e popullsisë së botës jeton në vende me të ardhura të mesme (për shembull, rreth tre të katërtat në vitin 2024 krahasuar me një të katërtën në vitin 1990). Për këtë arsye, një prag më i lartë varfërie do të ishte më përfaqësues i strukturës aktuale demografike të botës. Për më tepër, një standard më i lartë i varfërisë do të ishte i nevojshëm për të ndërtuar qëndrueshmëri në një botë më të ndjeshme ndaj rreziqeve që lidhen me klimën.”
Shqipëria, si vend me të ardhura të mesme, përfshihet në këtë analizë, e cila synon të ofrojë një pasqyrë globale mbi pabarazitë dhe nevojën për politika që adresojnë varfërinë. Raporti shpjegon se standardi prej 8.30 dollarësh është më i lartë se pragjet tradicionale të varfërisë, duke reflektuar më mirë nevojat minimale të jetesës në vendet me të ardhura të larta-mesatare dhe duke mundësuar një krahasim më të drejtë të situatës globale.
Banka Botërore thekson se përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 8.30 dollarë është një tregues i rëndësishëm për zhvillimin global dhe planifikimin e politikave për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë ekonomike e sociale.
Të dhënat tregojnë se me nivelin e mëparshëm prej 6.85 USD në ditë, rreth 20% e popullsisë së Shqipërisë jetonte në varfëri. Banka Botërore rishikoi kufijtë e varfërisë dhe ngriti pragun për vendet e klasifikuara si “upper middle income” (me të ardhura të mesme të larta) në 8.30 USD në ditë, duke filluar nga qershori 2025. Ky ndryshim vjen nga përditësimi i linjave të varfërisë globale bazuar në të dhënat më të fundit të pariteteve të fuqisë blerëse (PPPs), të publikuara në maj 2024 nga Programi Ndërkombëtar i Krahasimit.
Me këtë ndryshim, pragjet e varfërisë janë vendosur si më poshtë:
- 3 USD në ditë për vendet me të ardhura të ulëta (pragu i varfërisë ekstreme).
- 4.20 USD në ditë për vendet me të ardhura mesatare të ulëta.
- 8.3 USD në ditë për vendet me të ardhura mesatare të larta.
