“`html
Banka Botërore vlerëson projektin 80 milionë euro për ujin: Progres mesatarisht i kënaqshëm, janë disbursuar 28.68 milionë euro
Banka Botërore ka publikuar një vlerësim të fundit për Programin e Modernizimit të Sektorit të Ujit dhe Kanalizimeve në Shqipëri, projekt i financuar nga kjo e fundit me rreth 80.1 milionë euro përmes IBRD, si dhe me një grant shtesë prej 6.3 milionë dollarësh.
Raporti konstaton se progresi tërësor i projektit vlerësohet si mesatarisht i kënaqshëm, duke nxjerrë në pah si aspektet me ecuri të mirë, ashtu edhe ato që kërkojnë përmirësim. Sipas statusit të zbatimit të hartuar nga ekipi i Bankës Botërore, disa nga komponentët kanë arritur një nivel të mirë disbursimi, ndërkohë që për të tjerët, fokusi do të jetë në dy vitet e ardhshme.
- DLI 1 është arritur plotësisht dhe është disbursuar e gjithë shuma prej 9 milionë eurosh, pas miratimit të instrumenteve të financimit sektorial dhe udhëzimeve të bazuara në performancë.
- DLI 2 është pjesërisht i arritur, me 6.26 milionë euro të disbursuara (28% e alokimit). Disbursimet kryesore për këtë komponent priten në vitet fiskale 2026–2028.
- DLI 3, i cili ka për qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të sektorit, është gjithashtu pjesërisht i arritur, me 5.85 milionë euro të disbursuara (65%). Arritja e plotë e tij pritet gjatë vitit 2026.
- DLI 4, që mat vazhdimësinë e furnizimit me ujë (minimumi 18 orë në zonat urbane), nuk ka gjeneruar ende disbursime për shkak të mungesës së verifikimit të të dhënave lidhur me presionin e ujit. Prokurimi i pajisjeve matëse është planifikuar për fillim të vitit 2026, me disbursime të parashikuara në vitet 2027–2028.
- DLI 5, i cili lidhet me krijimin e lidhjeve të reja funksionale për familjet, ka disbursuar 2.8 milionë euro (16%). Pjesa më e madhe e fondeve për këtë komponent pritet të lëvrohet në dy vitet e fundit të programit.
Raporti thekson gjithashtu se komponenti i grantit/IPF po ecën më ngadalë se parashikimi, pavarësisht se disa aktivitete janë përfunduar, duke përfshirë angazhimin e agjencisë së verifikimit të pavarur dhe auditimet e eficiencës së energjisë në disa njësi rajonale.
Projekti, i miratuar në maj 2022 dhe me afat përfundimi në dhjetor 2027, synon përmirësimin e performancës operacionale dhe financiare të ujësjellësve, si dhe rritjen e aksesit në shërbime të sigurta të furnizimit me ujë.
“`
