Bank a e Shqipërisë do të tërheqë deri në 450 milionë euro nga tregu në vitin 2026
Banka e Shqipërisë ka publikuar planin e saj për ndërhyrjet në tregun valutor gjatë vitit 2026, duke sinjalizuar tërheqjen e një sasie të konsiderueshme eurosh nga qarkullimi.
Sipas kalendarit zyrtar, banka qendrore planifikon të blejë deri në 450 milionë euro përmes ankandeve periodike gjatë gjithë vitit. Këto ndërhyrje, të cilat do të realizohen nëpërmjet 26 ankandeve valutore, kanë si qëllim kryesor forcimin e rezervave valutore të vendit, si dhe menaxhimin e flukseve të larta të euros që vijojnë të jenë prezente në ekonomi.
Ky plan zhvillohet në një periudhë sensitive për tregun valutor. Vetëm një ditë para publikimit të këtij njoftimi, kursi i këmbimit arriti një nivel historik, me euron që zbriti deri në 96,1 lekë, duke shënuar vlerën më të ulët ndonjëherë në tregun vendas. Dobësimi i euros ka lidhje me prurjet e larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet, si dhe me pritshmëritë për ndërhyrje nga ana e bankës qendrore.
Blirjet e planifikuara për vitin 2026 janë më të larta në krahasim me vitet e mëparshme, duke treguar një angazhim më aktiv të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.
Institucioni sqaron se këto ndërhyrje nuk kanë për qëllim përcaktimin e kursit të këmbimit, por më tepër zbutjen e luhatjeve të forta dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Një lek i fortë kontribuon në kontrollin e inflacionit, por në të njëjtën kohë krijon presion për sektorin e eksportit dhe për sektorët që gjenerojnë të ardhura në valutë të huaj. Në këtë kontekst balancues, Banka e Shqipërisë synon të ruajë stabilitetin monetar, duke përdorur ndërhyrjet valutore si një instrument mbështetës të politikës së saj ekonomike.
