BSH: Tensionet gjeopolitike kërkojnë kujdes dhe ruajtje të rezervave përballë pasojave
Banka e Shqipërisë miratoi Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025. Ky raport, një dokument i rëndësishëm periodik i Bankës së Shqipërisë, ka si qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat përballet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, veprimtaria e sistemit financiar gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025 është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Sektori bankar ka përshpejtuar zgjerimin e aktivitetit, kryesisht falë rritjes së depozitave dhe kapitalit, të cilat janë orientuar drejt kreditimit dhe investimeve në tituj. Rezultati financiar neto i sektorit bankar ka qenë pozitiv, megjithëse disi më i ulët se një vit më parë. Rreziqet që burjojnë nga ndërlidhjet brenda sistemit financiar dhe nga vetë veprimtaria e sektorit bankar konsiderohen në nivele të kontrolluara.
Treguesit e rezistencës financiare dhe ushtrimet e provës së rezistencës konfirmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar ndaj rreziqeve të identifikuara. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson nevojën që bankat të forcojnë sistemet e tyre të parandalimit dhe administrimit të rreziqeve, të testojnë rregullisht rezistencën ndaj tyre dhe të ruajnë nivele të përshtatshme kapitalizimi.
Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës kanë qenë pozitive, të mbështetura nga ecuria e mirë e konsumit, investimeve dhe performanca e qëndrueshme e sektorit të turizmit. Rritja ekonomike është shoqëruar me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit dhe pagave. Politika fiskale ka mbetur e kujdesshme, duke sjellë një ulje të mëtejshme të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Presionet inflacioniste kanë mbetur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend vazhdojnë të jenë prezente, kryesisht për shkak të pasigurisë së lartë që paraqesin zhvillimet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë nënvizon rëndësinë që politikat ekonomike dhe financiare të autoriteteve publike, si dhe veprimet e pjesëmarrësve të tregjeve, të synojnë ruajtjen e rezervave financiare dhe drejtimin efektiv të investimeve.
Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës, me propozim të Guvernatorit, miratoi emërimin e Holta Zaçajt në funksionin e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë. Holta Zaçaj, e cila mbylli mandatin si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese në fund të vitit të kaluar, ka përvojë si pedagoge, avokate dhe drejtuese e departamentit Ligjor në Alpha Bank Albania. Ajo zëvendëson në këtë detyrë Luljeta Minxhozin, mandati i së cilës në Këshillin Mbikëqyrës përfundoi në dhjetor 2025.
