Bankat Rrisin Investimin në Borxhin e Qeverisë Shqiptare

Sektori bankar po e rrit përsëri investimin në borxhin e qeverisë

Sektori bankar po e rrit përsëri ekspozimin ndaj titujve të qeverisë shqiptare, pas një ndërprerjeje në muajt e parë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik, investimi i sektorit bankar në letra me vlerë të borxhit të qeverisë shqiptare arriti në 616.8 miliardë lekë.

Vlera e investimit në tituj qeveritarë mbetet më e ulët krahasuar me fundin e vitit të kaluar, me 1.4% më pak, por është në rritje me 4.3% krahasuar me një vit më parë. Sidoqoftë, pesha e këtyre instrumenteve në strukturën e aktiveve të bankave po shënon një rënie të konsiderueshme vjetore. Në fund të muajit korrik, investimet në letra me vlerë të qeverisë përbënin 25.1% të aktiveve, nga 26.5% që kishin qenë një vit më parë.

Vlera e investimit të bankave në letra të borxhit të qeverisë pati një rënie graduale deri në muajin prill, kryesisht për shkak të uljes së huamarrjes neto të qeverisë në tregun e brendshëm. Megjithatë, pas muajit maj, vlera e investimit në tituj ka filluar të rritet përsëri, duke ndjekur ritmet e huamarrjes së qeverisë shqiptare.

Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar pritet të jetë në rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma e planifikuar për huamarrje në ankandet e bonove dhe obligacioneve parashikohet në 79.5 miliardë lekë, një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e portofolit të letrave me vlerë të qeverisë përputhet me një fazë të korrektimit në rritje të të ardhurave (yield-eve) të këtyre instrumenteve. Duke filluar nga tremujori i dytë, të ardhurat po shënojnë një korrektim gradual në rritje, çka mund të shpjegohet si me kërkesën e shtuar të qeverisë për financim në tregun e brendshëm, ashtu edhe me pritshmëritë për rritjen e normave të interesit, si pasojë e tensioneve të reja gjeopolitike dhe rritjes së çmimit të naftës.

Të ardhurat nga bonot 12-mujore u rritën përsëri në ankandin e fundit, të zhvilluar në muajin gusht, duke arritur nivelin më të lartë në gati dy vjet. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat mesatare të ponderuara në ankandin e kësaj jave arritën në 2.83%, nga 2.75% që kishin qenë në ankandin e mëparshëm. Të ardhurat nga këto instrumente kanë prekur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024. Ndërkohë që deri në tremujorin e parë, të ardhurat nga këto instrumente ishin nën normën bazë të interesit, tani ato kanë arritur një diferencë prej 0.33 pikë mbi normën bazë.

Burimi: BSH

Scroll to Top