Bankat Shqiptare: Rritje Shpenzimesh Personeli dhe Pagash

Shpenzimet e bankave për personelin, në rritje për të pestin vit radhazi

Shpenzimet e sektorit bankar për personelin po shënojnë rritje për të pestin vit radhazi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për personelin gjatë 9-mujorit 2025 arritën në mbi 14.4 miliardë lekë. Ky shifër paraqet një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe përfaqëson nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të muajit shtator, bankat raportuan 7,445 të punësuar, duke shënuar një rritje prej 5% krahasuar me periudhën e një viti më parë. Edhe pse shtimi i numrit të punësuarve ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve të personelit, rritja e pagave ka pasur efektin më të madh.

Sipas të dhënave të INSTAT, për tremujorin II 2025, paga mesatare bruto në sektorin financiar arriti nivelin rekord prej afërsisht 175 mijë lekësh në muaj, me një rritje vjetore prej 5.3%. Procesi i konsolidimit të sektorit bankar, i cili nisi deri në vitin 2019, solli përkohësisht një rënie të shpenzimeve të personelit. Megjithatë, në vitet pas pandemisë, ky zë i shpenzimeve është kthyer në rritje me ritme të përshpejtuara, duke arritur nivele historikisht më të larta.

Sektori bankar dhe financiar është përballur me trysni në rritje nga tregu i punës, veçanërisht në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm, duke i detyruar institucionet të rishikojnë në rritje pagat. Rritja e pagave është mbështetur gjithashtu nga performanca pozitive e sektorit dhe rritja e fitimeve gjatë viteve të fundit.

Bankat po vazhdojnë të shfrytëzojnë efektin e rritjes së normave të interesit, por ky efekt gradualisht po zbehet dhe rritja e të ardhurave neto nga interesat është frenuar këtë vit. Këta faktorë kanë sjellë edhe një ulje të fitimit. Fitimi neto i sektorit bankar për 9-mujorin 2025 arriti vlerën e 26.2 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vitet e fundit, ekonomia shqiptare është përballur me rritje të ndjeshme të kostos së punës, të shkaktuar kryesisht nga tendencat negative demografike, emigracioni i të rinjve dhe konkurrenca nga tregjet e huaja në tërheqjen e forcës së specializuar të punës. Në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, duke pasqyruar zgjerimin e aktivitetit ekonomik, kushtet e shtrënguara në tregun e punës, si dhe rritjen e çmimit të qirave.

Scroll to Top