Banorët e Durrësit luftojnë projektin TID ligjërisht

Jo vetëm protesta: Banorët e Durrësit ndjekin rrugën ligjore kundër projektit TID

Një rrugicë e ngushtë, që lidh bulevardin “Epidamn” me portën mesjetare të Durrësit, rezulton e shkretë në mesditë. Për 15 vite me radhë, banorët e saj jetojnë në një gjendje pasigurie, siç shprehet Pask Simaku, i cili nuk lëviz nga shkallët e banesës së tij. “Tre-katër familje që ishin në krye të rrugicës, i kompensuan siç duhet dhe ata u larguan që në vitin 2015. Kurse ne të tjerët? Me ne të tjerët, vetëm Zoti e di çfarë do të bëhet,” thotë Simaku.

Rrugica, e cila shtrihet përgjatë 100 metrave, ka formën e mureve lindore të amfiteatrit të Durrësit. Përpjekjet e qeverisë për të liruar këtë zonë nga banesat kanë filluar pas tërmetit të vitit 2019, ndërsa projekti TID ka marrë formë institucionale. Ky projekt, prej muajsh, kundërshtohet nga dhjetra banorë të prekur, të cilët protestojnë kundër masës së kompensimit dhe mungesës së transparencës.

Sipas urbanistes Entela Koja, projekti TID është ndërtuar mbi shkelje të vazhdueshme, të cilat lidhen me Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV) dhe Planet e Detajuara Vendore. “Kundërshtimi ynë nuk është çështje numrash, por çështje ligjesh të shkelura në vite,” deklaroi Koja për BIRN. “Shkeljet janë shpjeguar dhe cituar një nga një në praktikën tonë ligjore dhe në kërkesën zyrtare drejtuar Këshillit Bashkiak Durrës për ngritjen e një grupi hetimor. Nëse materialet e reja faktojnë përgjegjësi të tjera institucionale, sigurisht që rruga ligjore mbetet opsioni kryesor për t’iu referuar,” shtoi ajo.

Banorët e shtëpive të përfshira në projektin TID kanë gjetur mbështetje edhe nga media lokale “Amfora”, e cila është e ndjeshme ndaj problematikave të trashëgimisë kulturore. Drejtori i “Amfora”, Geri Emiri, thekson se ky forum qytetar ofron një alternativë për të sjellë zërin e qytetarëve përballë heshtjes dhe mbylljes së institucioneve. “Ky bashkëpunim nënkupton transparencë dhe dokumentim publik të fakteve. Materialet e botuara nga forume si Amfora kanë ndihmuar në evidentimin e shkeljeve dhe në informimin e opinionit publik,” u shpreh urbanistja Koja.

Arkitekti urbanist Artan Kacani, bazuar në përvojën e tij, ka mësuar se për të arritur të drejtat kushtetuese, duhet të fitohen një nga një të drejtat ligjore. Sipas Kacanit, dëgjesat e organizuara janë një proces demokratik, por ajo që mbetet thelbësore është marrëveshja mes bashkisë dhe banorëve, e cila në këtë rast mungon. “Marrëveshjet individuale duhet të nënshkruhen nga çdo familje dhe mjafton mungesa e një të tretës së firmave për të hedhur poshtë projektin,” tha Kacani.

Shtëpia e Kacanit përfshihet gjithashtu në projektin TID, për të cilin ai mendon se i mungon një plan menaxhimi, si dhe një buxhet i parashikuar për gërmimet arkeologjike të programuara. Në fakt, projekti aktualisht paraqet vetëm një plan të prishjeve të banesave. Kacani është mjaft kritik ndaj projektit të mangët të paraqitur deri më tani. “Ne duam një projekt të shëndetshëm, një projekt vlerësimi të trashëgimisë kulturore të lagjes Kala,” theksoi ai.

Ndryshimet e fundit në projektin TID kanë përfshirë edhe disa banesa në rrugët anësore të bulevardit “Epidamn”, nga Xhamia e Madhe deri te instalacioni “Veliera”. Bashkë me hapësirën rreth amfiteatrit, janë rreth 110 banesa gjithsej, të cilat, sipas TID, do të prishën në disa faza.

Flamur Bala ka marrë pjesë në të gjitha protestat e banorëve të lagjes “Kala”. Ai shprehet se “nuk i pëlqen heshtja, kur ka përballë një padrejtësi”. “Para një muaji, miqve të mi në banesat e amfiteatrit iu sollën shkresat nga IKMT se prishjet do të fillonin në mes të muajit shkurt. Nuk kanë harruar, jo, sepse shkatërrimet, si dhe herë të tjera, mund t’i bëjnë edhe gjatë sezonit turistik,” thotë Bala, ndërsa lëviz me shkathtësi me karrocën.

Përveç protestave përballë bashkisë së Durrësit, banorët po eksplorojnë të gjitha rrugët e mundshme ligjore për të kërkuar të drejtën e tyre. Urbanistët Koja dhe Kacani po diskutojnë me banorët mbi mënyrat ligjore të zgjidhjes. Koja përdor si shëmbëllim afreskun e famshëm “Darka e fundit” të Leonardo da Vinçit për të shpjeguar situatën, duke theksuar se në çdo njeri mund të gjendet një Krisht dhe një Judë. “Në këtë çështje, ne e shohim veten si qytetarë që mbrojmë të drejtën dhe pronën, ndërsa përgjegjësia bie mbi ata që kanë krijuar problemin,” tha Koja. “Thirrja jonë është ndaj ndërgjegjes së tyre, që në momentin e vendimmarrjes të zgjedhin drejtësinë dhe jo kompromisin me padrejtësinë,” përfundoi ajo.

Scroll to Top