Banorët e Kurdarit kundër ndërtimit të HEC-it në përroin e Luses
Banorët e fshatit Kurdari, në Bashkinë e Klosit, kanë larguar mjetet e firmës që po punonte për ndërtimin e një Hidrocentrali (HEC) në përroin e Luses. Të gjithë banorët e fshatit janë bashkuar në protestë kundër këtij projekti, duke kundërshtuar vazhdimin e punimeve.
Sipas banorëve, ata po protestojnë prej rreth 8 muajsh pasi, sipas tyre, ndërtimi i hidrocentralit rrezikon burimin kryesor të ujit dhe jetesën e banorëve të zonës. “Po na marrin burimin e ujit dhe po na detyrojnë të largohemi nga fshati”, janë shprehur banorët e Kurdarisë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të firmës deklarojnë se kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe se disponojnë dokumentacionin e plotë për ndërtimin e HEC-it.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë për të monitoruar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e protestës.
