Dy muaj pas një sezoni intensiv zjarresh që dogjën rreth 60,000 hektarë pyje dhe kullota në Shqipëri, banorët e prekur ende presin kompensimet e premtuara. Mbi 130 vatra zjarresh kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke shkatërruar ose dëmtuar dhjetëra banesa, duke djegur krerë bagëtish dhe duke shkatërruar pemëtari të tëra. Zonat më të prekura ishin Gramshi dhe Delvina, komunitetet rurale të të cilave u goditën më rëndë.
Më 14 gusht 2025, Kryeministri Edi Rama premtoi se të gjithë do të dëmshpërbleheshin për shtëpitë dhe bagëtitë e humbura. Sipas të dhënave paraprake, 207 banesa u dëmtuan, ndërsa 40 prej tyre u shkatërruan plotësisht. Kryeministri deklaroi: “Askush nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë, pa e pasur në krah shtetin për tu rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë ashtu si dhe për të marrë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur”. Më 4 tetor 2025, ai përsëriti angazhimin e tij, duke e cilësuar procesin e kompensimit si një detyrim moral dhe ligjor. “Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata të cilët kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë”, tha ai.
Megjithatë, ndryshe nga deklaratat e kryeministrit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka konfirmuar se inventari ende nuk është përmbyllur. Agjencia po koordinon procesin mes strukturave qendrore dhe vendore, duke e cilësuar fazën aktuale si “përfundimtare”. “Të dhënat përfundimtare do të publikohen pas verifikimit dhe miratimit nga strukturat përgjegjëse, për të siguruar saktësi dhe transparencë”, thuhet në një deklaratë të agjencisë. Vonesat lidhen me verifikimet në terren dhe harmonizimin e të dhënave mes institucioneve, me qëllim garantimin e trajtimeve të drejta.
Afatet për fillimin e pagesave do të publikohen pas miratimit të listave dhe alokimit të fondeve nga buxheti i shtetit. Kompensimi do të bëhet sipas shkallës së dëmit për çdo banesë, bagëti apo dëme materiale të tjera. Ndërkohë, banorët e prekur janë detyruar të gjejnë zgjidhje vetë. Lulëzim Doku, banor i fshatit Harunas në Gramsh, humbi shtëpinë nga zjarri dhe aktualisht jeton me qira në qytetin e Gramshit, duke paguar 15,000 lekë në muaj.
Ekspertët e pushtetit vendor shprehen se vonesat në procesin e dëmshpërblimit po i lënë familjet e prekura të përballen vetë me pasojat. Agron Haxhimali, drejtues i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, argumenton se “Premtimet politike për rindërtim dhe kompensim nuk kanë gjetur ende mbështetje në zbatimin konkret të ligjit 45/2019, duke e lënë barrën tek familjet e prekura”. Ai thekson se, duke marrë parasysh numrin e kufizuar të banorëve dhe përmasat e dëmit, verifikimet mund të ishin mbyllur më shpejt. Haxhimali ngre dyshime për “mungesë koordinimi ndërinstitucional dhe neglizhencë administrative” për shkak të mosfunksionimit në kohë të mekanizmit ligjor.
Krahasimi i të dhënave nga Censi 2023, sipas të cilit zonat si Gramshi (me 16,533 banorë) dhe Delvina (me 6,166 banorë) kanë popullsi të ulët, sugjeron se procesi i verifikimit dhe menaxhimit të dëmeve mund të ishte më i lehtë. Bazuar në këto informacione, deklarata e kryeministrit Edi Rama se “tanimë është inventari i plotë i dëmeve nga zjarret” është kategorizuar si e pavërtetë nga Faktoje.al.