Barcelona ankimon arbitrimin kundër Atletiko Madrid

Barcelona po përgatitet për të bërë ankesë zyrtare kundër vendimeve arbitrare në ndeshjen kundër Atletiko Madrid.

Klubi katalanas po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një ankese zyrtare pranë RFEF (Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit) lidhur me arbitrimin në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, të cilën Atletiko Madrid e fitoi me rezultatin 4-0. Ky informacion u bë i ditur nga Mundo Deportivo.

Barcelona pretendon se vendimi për anulimin e golit të Kubarsit, i cili do të kishte ngushtuar rezultatin në 4-1 me gjithë pjesën e dytë ende për t’u luajtur, ka qenë i padrejtë.

Përveç kësaj, klubi i Barcelonës ka shprehur pakënaqësi edhe për disa ndërhyrje të Xhuliano Simeones ndaj Alejandro Baldes, të cilat arbitri Martinez Munuera (me Gonzalez Fuertes në dhomën e VAR) nuk i ka ndëshkuar. Trajneri Hansi Flik besonte se lojtari argjentinas, pavarësisht se zhvilloi një ndeshje të mirë, duhej të ishte ndëshkuar me karton të kuq.

Mbetet për t’u parë nëse ankesa e paralajmëruar nga Barcelona do të ketë sukses, duke pasur parasysh situatën aktuale të bordit drejtues të klubit.

Scroll to Top