Te Barcelona janë të rraskapitur, Flik i dërgon direkt në Angli
Në këtë fazë të sezonit, skuadra e Barcelonës është duke përjetuar një lodhje të theksuar, si pasojë e numrit të madh të ndeshjeve të luajtura dhe udhëtimeve të shumta. Ky konsumim dhe lodhje ka një ndikim të drejtpërdrejtë në performancën e lojtarëve, duke u shfaqur në formë të ulët dhe duke kontribuar gjithashtu në dëmtime.
Për këtë arsye, Hansi Flik ka vendosur të ndryshojë planifikimin e skuadrës për javën e ardhshme. Synimi i tij është të minimizojë çdo rrezik të mundshëm dhe të sigurojë që lojtarët të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm në një moment kaq vendimtar të sezonit.
Ekspedita e Barçës do të niset të shtunën në mëngjes drejt Bilbaos, ku do të përballet me Athletic në orën 21:00. Megjithatë, ekipi nuk do të kthehet në Barcelonë pas ndeshjes së La Liga-s, siç ishte planifikuar fillimisht. Ata do të kalojnë natën në vendin bask dhe më pas, të dielën, do të udhëtojnë drejt Anglisë, pasi të martën do të luajnë kundër Njukasëllit në ndeshjen e parë të raundit të 16-të të Ligës së Kampionëve.
Në këtë mënyrë, Hansi Flik i ka dhënë përparësi pushimit. Ai dëshiron që lojtarët e tij, të cilët janë të rraskapitur, të kenë më shumë orë gjumi dhe qetësi. Të dielën, ata do të udhëtojnë dhe, sipas planit paraprak, nuk do të stërviten. Stërvitja e vetme do të zhvillohet në ambientet e Njukasëllit të hënën pasdite, pas konferencës për shtyp të trajnerit gjerman.
Ky ndryshim në planifikim vjen si pasojë e tre lojtarëve të dëmtuar që skuadra ka pësuar vetëm brenda një jave: De Jong, Balde dhe Kundé.
