Bardhi: Buxheti 2026, shifra të tjera për t’u vjedhur

Bardhi: Buxheti i vitit 2026 po përgatit shifra të tjera për t’u vjedhur

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Partia Demokratike kërkoi zhvillimin e një debati në Parlament për përcaktimin e minimumit jetik.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se ka uzurpuar plotësisht axhendën e Kuvendit. Ai deklaroi se në rend dite përfshihen vetëm iniciativa të qeverisë dhe asnjë propozim nga deputetët, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme në një vend demokratik.

Bardhi kritikoi gjithashtu mënyrën e shpërndarjes së fondeve, të cilat sipas tij nuk shkojnë te qytetarët në nevojë, por shërbejnë për abuzime dhe vjedhje.

Ai akuzoi zv/kryeministren Belinda Balluku se, lidhur me aferën e tunelit të Llogarasë, ka përfituar 50 milionë euro nga një firmë e saj. Edhe buxheti i vitit 2026, tha Bardhi, rrezikon të krijojë një hendek financiar për shtetin, pasi sipas tij, shifra të tjera rrezikojnë të “avullojnë” përmes tenderave dhe koncesioneve abuzive.

Gazment Bardhi theksoi:

  • “Nuk ndodh në asnjë vend demokratik që axhendën e Kuvendit ta caktojë 100% qeveria. Në axhendë ka vetëm iniciativa të qeverisë dhe asnjë iniciativë nga deputetët.”
  • “Na u tha këtu që kanë ardhur më shumë kërkesa për debat sesa në katër vite bashkë. Pse, kush ju pyet ju? Ju e përcaktoni këtë.”
  • “Na u tha se po jepen 1.8 miliardë euro në muaj. I bie 36 mijë lekë të vjetra për familje në nevojë. Po jeton dot dikush me 36 mijë lekë në muaj? Jo, nuk jeton.”
  • “Na u tha se ky është ‘buxheti më i madh’, por ky është buxhet për vjedhje, nuk shkon te qytetarët. Është buxhet si ai që kemi parë: u vodhën 50 milionë euro dhe askush nuk flet. Me një firmë mori Belinda Balluku 50 milionë euro, dhe me këtë buxhet po bëhen gati shifra të tjera për t’u vjedhur. Kjo është e gjitha.”
  • “Opozita nuk mund të jetë fasadë këtu. Po kërkoni opozitë fasadë. Dhe kjo, Kryetar, është çështje e jotja. Duhet të merrni masa për të respektuar të drejtat e opozitës, ndryshe opozita nuk ka çfarë të bëjë këtu. Ne nuk jemi fasadë.”
Scroll to Top