Bardhi në Kuvend: Ftesa për “Bordin e Paqes” i drejtohet kombit shqiptar, jo qeverisë
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë nga Kuvendi, theksoi se ftesa për t’u bërë pjesë e “Bordit të Paqes” nuk i është drejtuar personalisht kryeministrit Edi Rama, por Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Ai shtoi se kombi shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ka dëshmuar vazhdimisht se është pro-paqes, gjë që sipas tij, ka sjellë edhe këtë ftesë. Bardhi kërkoi që kjo situatë të mos shfrytëzohet nga qeveria për qëllime propagandistike.
Bardhi rikujtoi deklaratat e mëparshme të Ramës kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se opozita kundërshton shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar, pasi kjo bie ndesh me rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.
“Rama ka qenë i vetmi lider botëror që iu drejtua presidentit të SHBA-së me termin ‘përfaqëson turpin e njerëzimit’. Një deklaratë e tillë dëmton marrëdhëniet mes Shqipërisë, kombit shqiptar dhe SHBA-së, duke vënë në rrezik sigurinë dhe lidhjet tona strategjike”, tha Bardhi.
Ai vijoi duke thënë se shqiptarët nuk ndihen të vlerësuar thjesht për partneritetin që ka Shqipëria me SHBA, por krenarë për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka kombi shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Prandaj edhe ftesa i është drejtuar Shqipërisë dhe Kosovës. SHBA ftoi Shqipërinë dhe Kosovën në këtë bord për shkak të rolit që ka kombi ynë jo vetëm në paqen në Ballkan, por edhe në Evropë dhe më gjerë, si dhe për shkak të raportit të shkëlqyer strategjik me SHBA. Nuk mund të bëhet propagandë apo të talleni me SHBA duke pretenduar arritje historike, kur para pak viteve e keni quajtur personin kyç për paqen botërore si ‘turpi i njerëzimit’”, theksoi Bardhi.
Ai nënvizoi se opozita nuk është kundër pjesëmarrjes së Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, por theksoi se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën.
“Kemi mundësinë të respektojmë Kushtetutën. Kërkojmë një javë kohë, gjatë së cilës i kërkojmë presidentit që marrëveshja të hyjë në fuqi menjëherë. Zbatoni Kushtetutën dhe ne e bëjmë marrëveshjen efektive brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren?”, pyeti ai.
