Bardhi i kërkon llogari Ramës: Çfarë ju detyron të bëheni avokati i së pandehurës së SPAK?
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Kuvend. Ai i ka drejtuar një pyetje kryeministrit, duke e pyetur se çfarë e detyron atë të mbrojë ish-ministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.
Bardhi, duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit, u shpreh: “Zoti kryetar i Kuvendit, më lejoni të sjell në vëmendje se dënimet kolektive i kemi lënë pas në kohën e paraardhësve tuaj. Nuk ka gjë më etike sesa t’i kthesh kurrizin një njeriu të korruptuar, një njeri që u paraqit këtu jo si avokat i interesit publik, por si avokat i vjedhjes së inceneratorëve apo i kësaj afere të qeverisë.”
Ai shtoi se ata nuk e kanë bërë prokurorinë, por kanë sjellë në vëmendje atë që ka thënë prokurori, duke cituar prokurorinë. “Po ju çfarë ju detyron që të vini në këtë faltore dhe të bëheni avokati i një të pandehure për vjedhje fondesh publike, prej 50 milionë euro? Shqiptarët presin rritje reale të pagave apo pensioneve,” tha ai.
Kreu i grupit parlamentar të PD u ka kërkuar kolegëve socialistë të reflektojnë dhe t’u vijë turp nga fëmijët e tyre për votën që do të japin për buxhetin. Ai ka deklaruar se kryeministri Edi Rama është tashmë vetëm një figurant në qeveri dhe për çdo gjë duhet pyetur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e lidhur sipas tij me afera si tuneli i Llogarasë dhe ai i aeroportit të Vlorës.
Pjesë nga fjala e Bardhit:
“T’ua freskoj edhe një herë kujtesën kolegëve të Partisë Socialiste, se ndoshta, edhe mund t’u vijë turp nga fëmijët e tyre, para se të lexojnë fjalimin që u ka kërkuar partia. Ja, çfarë thuhet mes të tjerash në mesazhin që kompania turke i dërgon Belinda Ballukut disa javë përpara hapjes së tenderit të dytë për tunelin dhe që mjeshtrja e tenderave ia dërgon bashkëpunëtorit të saj.
“Kjo është një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë. Si përfaqësuesit tanë në Shqipëri, ashtu edhe avokatët tanë në Shqipëri, po vazhdojnë punën dhe negociatat në lidhje me tenderin. Në selinë tonë në Ankara, inxhinierët tanë po përfundojnë dokumentacionin për tenderin dhe po vazhdojnë studimet e kostove. Përveç kësaj, më 18 Gusht, (pra 3 javë para hapjes së tenderit) menaxherët e shoqërisë dhe inxhinierët tanë nga Turqia do të vijnë në Shqipëri për të parë trasenë dhe vendin ku do të ndërtohet tuneli, si dhe për të finalizuar detajet. Si shoqëri, ne do të jemi plotësisht gati për tenderin e Tunelit të Llogarasë para datës së tenderit.”
A është Tuneli i Llogarasë rast i izoluar i abuzimit me fondet publike, që as Edi Rama, as Belinda Balluku nuk i prodhojnë vetë, por janë mundi dhe djersa e punës së 2 milionë shqiptarëve?! Do ta kisha votuar edhe vetë këtë buxhet, po të kishte qenë kështu, por, fatkeqësisht për vendin, nuk është!
Pak ditë më parë denoncova të njëjtën skemë korrupsioni. Këtë herë me koncesionin 60 milionë euro të “Portit të Integruar” në Vlorë, të cilit ia kanë dhënë një pensionisti që punon për njërin prej oligarkëve të Ramës. Ju të PS-së e kujtoni të gjithë puthjen e kryeministrit tuaj me Salillarin disa vjet më parë. Tani, ju takon juve, që para se të lexoni fjalimet me rritje e progres, t’u thoni votuesve se kush është pronari i vërtetë i koncesionit 60 milionë euro në Triport. Sepse një pensionist, pa asnjë kualifikim, nuk mund të jetë.
Këtë informacion mund t’ia kërkoni shumë mirë edhe të pandehurës suaj të preferuar Belinda Ballukut. Madje, të njëjtën të pandehur mund të pyesni edhe për skemën korruptive të koncesionit me Aeroportin e Vlorës. Mund ta kapni në ndonjë moment sinqeriteti dhe ndoshta mund t’ju tregojë ndonjë lidhje familjare dhe biznesi me aksionerët e pakicës në koncesionin 140 milionë euro të Aeroportit të Vlorës.
Po ju kërkoj të pyesni Belindën dhe jo Edi Ramën, sepse ju e dini që kryeministrin e keni peng tek Belinda Balluku. Përndryshe, nuk ka asnjë shpjegim tjetër që Edi Rama mban ende si krahun e tij të djathtë në qeveri një të pandehur nga SPAK-u. Përndryshe, nuk ka asnjë shpjegim tjetër pse Edi Rama i ka lënë një të pandehure për abuzim me tenderat gati 1 miliard euro fonde tenderash. Përndryshe, nuk ka asnjë shpjegim pse Edi Rama hesht i dorëzuar përpara të pandehurës së SPAK-ut. Ata janë së bashku në krimin e vjedhjes së buxhetit të shqiptarëve.
Prandaj, kolegë socialistë, nëse doni të kuptoni ç’bëhet me qeverinë tuaj të pistë dhe të korruptuar, kush do t’i marrë fondet e këtij buxheti, a do të kenë ndonjë copë miqtë tuaj të dukshëm e të padukshëm që blejnë vota për ju dhe ju duhet t’i shpërbleni – mos e lodhni kryeministrin. Prej 31 Tetorit, ai është vetëm figurant. Pyesni të pandehurën e SPAK-ut, Belinda Balluku. Ajo mban realisht çelësat e qeverisë. Dhe është e vetmja që ka fuqinë të shkarkojë Edi Ramën. Ky është çmimi që kryeministri i Shqipërisë po paguan personalisht për sistemin korruptiv që ka ndërtuar vetë.
- I marrë peng nga zëvendëskryeministrja.
- I marrë peng nga partnerët e krimit të organizuar dhe kartelet e drogës, që po shpallen non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri u krijon atyre lehtësira, leje ndërtimi, licenca kazinoje dhe çdo mundësi tjetër për të pastruar paratë. Ata, në këmbim, blejnë vota për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit të tij.
Prandaj, ky buxhet nuk është as më shumë dhe as më pak, por fatura e pengmarrjes së kryeministrit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Një faturë që shqiptarët po e paguajnë më shtrenjtë se kushdo. Dhe një faturë, që ne refuzojmë ta firmosim! Sepse ky buxhet është provë se Shqipëria sot nuk qeveriset. Ajo shfrytëzohet.
- Ne jemi kundër një buxheti që mbron të pandehurit, jo qytetarët.
- Jemi kundër një qeverie që i shërben krimit, jo njerëzve.
- Ne votojmë kundër për të mos u bërë si ju – noterë të pengmarrjes nga krimi dhe korrupsioni.
- Ne votojmë KUNDËR — sepse jemi me Shqipërinë dhe jo me pengmarrësit e saj.
