Bardhi për deklaratat e Marta Kos: Zëdhënëse e qeverisë së korruptuar
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi lidhur me deklaratat e komisioneres për zgjerimin të BE-së, Marta Kos. Ai u shpreh se Kos u shndërrua në zëdhënëse të qeverisë së korruptuar.
Bardhi komentoi gjithashtu deklaratën e saj në lidhje me raportin e OSBE-së për datën 11 maj.
“E sfidoj komisioneren e zgjerimit dhe çdo zyrtar të BE, që të gjejë një kryeministër, i cili para se të zbardhet gara për rreth 200 milionë euro, shkon vetë dhe zv.kryeministri për të takuar kompaninë, pastaj hapin garën dhe ia japin kompanisë së paracaktuar. Nëse komisionerja Kos gjen një rast të tillë, ne e pranojmë. Por dua të siguroj shqiptarët se Europa nuk ka raste të tilla,” tha Bardhi.
“Çdo shqiptar pret nga komisionerja që në deklaratat e saj të flasë për standardet europiane dhe jo të mbulojë korrupsionin e Edi Ramës. Dua të jem i drejtpërdrejtë edhe për faktin e reagimit për raportin e OSBE-së. Këtë nuk e tha as Edi Rama. Me këtë deklaratë do të turpërohej dhe vetë Edi Rama. Komisionerja e zgjerimit ka detyrimin që të jetë e drejtpërdrejtë me shqiptarët. Komisionerët e OSBE nuk thanë në asnjë fjalë dhe asnjë germë atë pohim,” shtoi ai.
