Bardhi: Rama përgatit grusht shteti për të shpëtuar Ballukun

Bardhi: Për të shpëtuar Ballukun, Rama po përgatit grusht shteti

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përfundimit të takimit të gjatë në kryeministri të zv/kryeministres Belinda Balluku me kryeministrin Edi Rama. Nisur nga lajmet se Balluku do të kundërshtojë masën e pezullimit nga detyra si në kundërshtim me Kushtetutën, Bardhi thekson se ky pretendim nuk qëndron.

“Edi Rama po përgatit grusht shteti! Për pushtetin e tij, ka kohë që ka shkallmuar çdo rregull dhe standard të funksionimit demokratik të shtetit, duke nisur nga themeli kushtetues i Republikës, që parashikon se ‘qeverisja bazohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme’! Teoria se Gjykata dhe SPAK po përcaktojnë qeverisjen, bëhet pikërisht nga ata që nuk janë shqetësuar asnjë ditë për faktin që qeverisjen e përcakton krimi i organizuar! Pra, Kushtetuta dhe ligji që i njohin këtë autoritet Gjykatës dhe SPAK-ut, janë gabim, ndërsa sistemi i Edi Ramës, ku qeverisjen e dikton krimi i organizuar dhe korrupsioni, është i drejtë. Çfarë turpi dhe mjerimi!”

Bardhi vijon duke sqaruar më tej: “Belinda Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete. Këtë e ndalon ligji! Gjykata dhe SPAK e kanë respektuar këtë ndalim. Ndërkohë, ‘pezullimi për të ushtruar funksionet publike’ në pushtetin ekzekutiv është qëllimi për të cilin ekziston kjo masë ndaluese në ligj, në kushtet kur vendimmarrja për shkarkim i është besuar një njeriu të papërgjegjshëm (siç është Edi Rama) apo një bashkëfajtori në korrupsion me të pandehurin (siç është po Edi Rama)! Mjerimi në logjikë nuk e shpëton dot as të pandehurën e sotme, Belinda Balluku, dhe as të pandehurin e afërt në kohë, Edi Rama! Fundi i tyre i shpejtë është shkruar nga sistemi korruptiv i qeverisjes që kanë ndërtuar vetë” – përfundon Bardhi.

Scroll to Top