“`html
Një vit pas zgjerimit të listës, bie numri i përfituesve të barnave të rimbursueshme
Rreth një vit pasi hyri në fuqi zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme me rreth 50 medikamente të reja, rezulton se për periudhën janar-gusht numri i përfituesve është pakësuar. Sipas të dhënave nga raporti “Për monitorimin e treguesve të Ministrisë së Shëndetësisë”, për muajt janar-gusht 2025 nga lista e barnave të rimbursueshme kanë përfituar 358,178 pacientë, krahasuar me 400,000 të parashikuar, me një kosto mesatare prej 6,226 lekë për pacient. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, numri i përfituesve ka pësuar një rënie prej rreth 3,320 pacientësh, ose rreth 1% më pak.
Për rimbursimin e barnave të listës gjatë muajve janar-gusht 2025 janë shpenzuar rreth 7.9 miliardë lekë, që përfaqëson rreth 64% të planit vjetor prej 12.6 miliardë lekësh. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë të vitit 2024, u shpenzuan pothuajse 8.2 miliardë lekë nga 12.2 miliardë lekë të planifikuara, ose 68% e planit vjetor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar gjatë gushtit 2024, duke shtuar 50 barna të reja dhe 1,345 alternativa mjekimi në total, nga 1,191 që ishin më parë. Nga barnat e reja të shtuara, 38 janë principe aktive të reja dhe 18 forma dozash të reja. Të gjitha këto barna të reja të shtuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme synojnë të mbështesin më tej trajtimin e sëmundjeve onkologjike, kardiovaskulare, diabetit, sëmundjeve të veshkave, astmës bronkiale dhe sëmundjeve pulmonare.
Gjatë periudhës 8-mujore të vitit 2025, kanë përfituar nga fishat e diabetit 56,066 pacientë, ose 3,829 pacientë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për rimbursimin e pajisjeve mjekësore (fishave të diabetit) janë shpenzuar 105.2 milionë lekë nga 250 milionë lekë të planit vjetor, duke arritur 70% të planit vjetor.
Në korrik të vitit 2024, hyri në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 492, datë 24.07.2024, për shtimin e kategorive përfituese të fishave për matjen e normave të diabetit, duke përfshirë invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuara të grupmoshës nga 25 deri në 65 vjeç. Përveç personave me Diabet Mellitus të grupmoshës 0-25 vjeç dhe ≥ 65 vjeç, shtimi i kategorive përfituese në vitin 2024 ka sjellë një rritje të shpenzimeve për rimbursimin e fishave të diabetit. Për rimbursimin e fishave të diabetit janë paguar 147.2 milionë lekë, krahasuar me 110.5 milionë lekë të shpenzuara në vitin 2023. Në vitin 2024, shpenzimet për fishat e të sëmurëve kronikë me diabet janë rritur me 33% në raport me vitin paraardhës. Gjatë vitit 2024, nga fishat e diabetit kanë përfituar 57,511 pacientë, rreth 4% më shumë se në vitin 2023.
“`
