Enj. Kor 19th, 2018

Barra e rëndë e faturave, 34% e familjeve shqiptare vështirësi për të paguar dritat dhe ujin

Faturat e shërbimeve publike janë një barrë e rëndë për shumë familje shqiptare, duke vënë në vështirësi financiare mbi një të tretën e popullsisë.

“Pagova dritat, uji s’ka ardhur, vjen më vonë. Ekonomia shtëpiake është e shtrënguar. Ne jemi në pension edhe del edhe s’del, por ja me nikoqirllëk”, thotë një qytetar.

Sipas një vrojtimi të financuar nga Komisioni Europian, 34 për qind e familjeve shqiptare kanë vështirësi për të paguar faturat e dritave dhe të ujit.

Kjo është shifra më e lartë në rajon, me diferencë të ndjeshme nga vendet e tjera. Në Serbi, pjesa e familjeve që kanë vështirësi për të paguar faturën e ujit dhe energjisë është 21 për qind, në Kosovë 20 për qind, ndërsa në Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi, shifra luhatet nga 14 deri në 16 për qind.

Katër vjet më parë, qeveria rriti me mbi 20 për qind tarifat e energjisë për shumicën e konsumatorëve familjarë, ndërkohë që nga 1 janari I këtij viti enti rregullator shtrenjtoi me mbi 40 për qind përnjëherë çmimin e ujit.

Por përveç rritjes së çmimit, faturat e shërbimeve publike rëndohen edhe nga taksat e shumta që qeveria ka ngarkuar mbi to si tarifa e pastrimit, taksa e shkollave apo ajo e pronës. Të gjitha këto bëjnë që mbi 250 mijë familje shqiptare të vihen në vështirësi serioze për të shlyer faturën e dritave dhe ujit.

InfoPasqyra/tch